Lajme

Gërvalla takohet me komisionerin evropian McGrath

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me Komisionerin Evropian për Demokraci, Drejtësi, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, Michael McGrath, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka bërë të ditur se me komisionerin evropian ka diskutuar për prioritetet e Kosovës në fushën e drejtësisë, bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe përparimin e vendit drejt integrimit evropian.

Një vëmendje të veçantë gjatë takimit i është kushtuar reformës në drejtësi, veçanërisht themelimit dhe funksionalizimit të plotë të Byrosë Shtetërore.

Sipas Gërvallës, qytetarët e Kosovës e presin prej kohësh funksionalizimin e këtij mekanizmi, i cili synon të sigurojë që pasuria e pajustifikueshme të mos fshihet pas pushtetit.

Postim i plotë:

E ardhmja evropiane e Kosovës është e pandashme nga drejtësia e fortë, shteti ligjor dhe barazia para ligjit

Në Budva të Malit të Zi, përgjatë punimeve të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi, takova z. Michael McGrath, Komisionerin Evropian për Demokraci, Drejtësi, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Me Komisionerin McGrath, biseduam për prioritetet e Republikës së Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, bashkëpunimin me BE-në dhe përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Folëm edhe për reformën në drejtësi, me theks të veçantë për themelimin dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë Shtetërore, të cilën qytetarët tanë e presin me padurim prej kohësh, si garancë që pasuria e pajustifikueshme të mos fshihet pas pushtetit, ndërsa zbatimi i pakos së ligjeve të reformës më të thellë dhe më të gjerë ndonjëherë në fushën e drejtësisë në vendin tonë të transformojë rrënjësisht gjyqësorin në Kosovë.

Theksova gjithashtu se pavarësia e gjyqësorit është themel i shtetit ligjor, por ajo nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mburojë për askënd që përfshihet në krim dhe korrupsion.

Reformat në drejtësi janë parakusht për një shtet të fortë ligjor dhe funksional. Dhe, Kosova po i çon ato përpara me vendosmëri të palëkundur, duke forcuar mekanizmat e drejtësisë, luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe garantuar se rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është e pakthyeshme.

Të Ngjashme