Lajme

​VV kundër përfshirjes së ZKM-së në listën e institucioneve që komisioni hetimor t’u drejtojë kërkesa

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, nuk kanë pranuar sot që kryeministri Albin Kurti të përfshihet në listën e institucioneve të cilave komisioni do t’u drejtojë kërkesa për dokumente dhe dëshmi.

Kryetari i këtij komisioni, Burim Ramadani, pas mbledhjes, tha se LVV-ja ka ardhur me qëndrime të paracaktuara dhe po bllokon përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në procesin hetimor.

Mos përfshirja e ZKM-së në hetime, Ramadani: VV duhet ta ndërrojë qëndrimin e saj

“Lëvizja Vetëvendosje duket qartë se ka ardhur me një vendim të barrikaduar, me bllokadë me qëndrime të prera, të cilat janë formuluar para se të vijnë në komision. Krejt thelbi i sotëm sa i përket planit të veprimit, është që Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranon që ne t’i dërgojmë kërkesa edhe Zyrës së Kryeministrit. Jemi duke folur përpjesën që e diskutojmë, nuk po futem në detaje. Sidoqoftë, ne besojmë që qasja barrikaduese që komisioni të mos ta vendosë në listën e institucioneve që ka të drejtë t’i dërgojë kërkesë për dokumente dhe dëshmi, për prova, nuk po flasim në fazën e dëshmitarëve, që Zyra e Kryeministrit të mos përfshihet fare: me idenë që janë shumicë dhe e mbivotojnë. I lus kolegët e VV-së që të ulen dhe të hënën të ndërrojnë qëndrimin e prerë që Zyra e Kryeministrit të mos i bëjmë kërkesa”, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, shprehu shqetësimin për pamundësinë e tejkalimit të ndasive politike në një komision që, sipas saj, duhet t’i shërbejë një kauze kombëtare.

Ajo tha se plani i propozuar parasheh shqyrtimin e përgjegjësive nga hallkat më të ulëta institucionale deri te përgjegjësia politike.

Kabashi-Ramaj: Përgjegjësit për rastin e Arlinda Zekajt duhet të japin përgjegjësi para komisionit hetimor

“Është e dhimbshme të shohim që një komision që trajton një rast shumë të rëndë dhe duhet që t’i tejkalojë ndasitë politike dhe t’i shërbejë një kauze kombëtare, nuk po arrin t’i tejkalojë këto ndarje. Kemi paraqitur një plan të detajuar për secilën fazë që duhet të ndodhë, listat, duke filluar nga hallka më e vogël e deri te përgjegjësia politike. Të gjithë që kanë pasur gisht në këtë hallkë duhet të japin përgjegjësi para Komisionit hetimor, jo si individ, por si institucione përgjegjëse që kanë dështuar të mbrojnë një grua që ka kërkuar mbrojtje prej tyre. Është shumë e rëndësishme që Komisioni hetimor i tillë të funksionojë, nuk duhet të politizohet. Një ministër mund të jetë i shkëlqyeshëm në performancë, por nëse ndodh një rast tragjik, nëse nuk ka përgjegjësi penale e ka përgjegjësi morale”, tha ajo.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, e cilësoi të pafat zhvillimin e diskutimeve, duke thënë se ka propozuar që hetimi të nisë nga komuna, QPS, policia dhe më pas të vazhdojë në nivelin qendror.

Kica-Xhelili: Propozova të mos shkojmë nga intervistimi nga lart poshtë

“Është fatkeqësi e madhe, sepse po trajtojmë një rast të rëndësishëm. U mundova t’i kuptoj dy palët. Insistimi im ishte ta kalonim këtë pikë edhe pa emrin e kryeministrit me një arsye, sepse vlerësova se do të shpërfaq dy elemente kryesore: i pari është që e kuptojmë barikadimin ndaj një emri që ka përgjegjësi për politikat që krijohen në kuadër të një shteti. Për të dëshmuar se ne e kemi vërtet hetimin real faktik, unë propozova të mos shkojmë nga intervistimi nga lart poshtë, por të fillojmë së pari me zyrtarët në komunën e Pejës, të QPS-së, prokurorët, policët dhe në fund të mbetet niveli qendror që të identifikojmë problemet reale, në mënyrë që të dimë se çfarë pyetje duhet t’u adresojmë nivelit qendror. Në propozimin që u bë nga LVV, ishte edhe emri i kryetarit të komunës së Pejës dhe argumenti im ishte ky: nëse niveli komunal ka vetëm atë emër pa drejtoritë, atëherë paralelja e kësaj është se niveli qendror ka një kryeministër që ka ministritë”, tha ajo. 

Të Ngjashme