Publicisti dhe intelektuali nga Bujanoci, Refik Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për garimin me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të shpallura për 25 tetor 2026.
Hasani thotë se kërkesa për një listë të përbashkët shqiptare është një iniciativë që ai e ka artikuluar publikisht që nga Marrëveshja e Konçulit, më 20 maj 2001, duke e përsëritur atë sa herë që janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Dje, më në fund, subjektet politike shqiptare të Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që janë shpallur të mbahen më 25 tetor 2026, dhe është për ta përshëndetur”, është shprehur Hasani.

Refik Hasani
Sipas tij, bashkimi i subjekteve politike shqiptare duhet të shkojë përtej një marrëveshjeje zgjedhore dhe të shndërrohet në një platformë më të gjerë politike.
“Vazhdimisht, përmes vështrimeve, opinioneve, intervistave, deklaratave, prononcimeve, propozimeve, por edhe duke e parashtruar nëpër tryeza e debate, studime e kumtesa, nuk u ndal së kërkuari që shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të garonin me një listë të përbashkët, të unifikuar rreth një qëllimi, programi dhe platforme, në bashkërendim, koordinim, harmonizim dhe artikulim të kërkesave, me nevojën që interesat e përgjithshme të shqiptarëve të vendosen mbi interesat e ngushta partiake”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Hasani vlerëson se ndarja e votës shqiptare në disa lista ka ndikuar në dobësimin e mundësisë për një përfaqësim më të madh në Parlamentin e Serbisë.
“Lista e përbashkët nuk është qëllim në vetvete, por një instrument politik për të rritur përfaqësimin dhe për ta bërë më të fuqishëm artikulimin e kërkesave të shqiptarëve etnikë e autoktonë të kësaj Krahine”, ka theksuar Hasani.
Ai rendit disa objektiva që, sipas tij, mund të arrihen përmes kësaj marrëveshjeje: bashkimi i subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në një garë të përbashkët, maksimizimi i votës shqiptare duke shmangur shpërndarjen e saj në disa lista, rritja e përfaqësimit parlamentar dhe krijimi i një zëri të përbashkët shqiptar në institucionet e Serbisë.
Por, Hasani thekson se rëndësia e kësaj marrëveshjeje nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjedhjet.
“Rëndësia e saj qëndron edhe në mundësinë për të krijuar një program dhe platformë të përbashkët dhe jo vetëm një listë zgjedhore. Përfaqësimi politik duhet të përdoret për të ngritur çështje që lidhen me diskriminimin, pasivizimin e adresave, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin proporcional dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve”, është shprehur ai.
Në këtë kuadër, Hasani kërkon që bashkimi elektoral të pasohet nga një bashkëpunim më i gjerë programor, institucional dhe strategjik.
“Bashkimi elektoral duhet të pasohet nga bashkimi programor, institucional dhe strategjik, në unitet programor, institucional dhe politik, për një platformë të qëndrueshme politike shqiptare të kësaj Krahine”, ka thënë Hasani.
Ai gjithashtu ka kërkuar që Prishtina dhe Tirana zyrtare, si dhe SHBA-ja, BE-ja dhe OKB-ja, ta mbështesin një qasje më konkrete ndaj çështjeve që prekin shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Hasani përmend në këtë drejtim edhe nevojën për adresimin e çështjes së pasivizimit të adresave, përfaqësimit proporcional dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve, duke theksuar se këto çështje duhet të trajtohen në mënyrë institucionale.
Ai ka rikujtuar edhe propozimin për hapjen e një zyre ndërlidhëse në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, e cila, sipas tij, do të mund të ndihmonte të dëbuarit, të zhvendosurit dhe të shpërngulurit nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që aktualisht qëndrojnë në Kosovë.
Në fund, Hasani e sheh marrëveshjen për listën e përbashkët si një mundësi për të ndërtuar një bashkëpunim më afatgjatë politik.
“Bashkimi i votës është mjeti; përfaqësimi politik është instrumenti; ndërsa mbrojtja dhe avancimi i të drejtave dhe interesave të shqiptarëve të kësaj Krahine mbeten qëllimi më i gjerë dhe i vetëm”, ka përfunduar Hasani.
