![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2024/05/bastisje-ne-lipjan-e-prishtine-arrestohen-dy-persona-i-treti-ne-arrati_6644d9555ecd7.jpeg?resize=850%2C567&ssl=1)
Policia e rajonit të Prishtinës ka arrestuar S. T. (48) dhe A. T. (21), shtetas kosovarë, ndërsa personi i tretë ndodhet në arrati, të dyshuar për shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje dhe fajde.
Ata dyshohet se janë implikuar në rastin e vetëvrasjes më 14 maj 2024, në një sallon veturash, në magjistralen Prishtinë -Ferizaj.
Arrestimi, i cili ka ndodhur dje, është përcjellë me një operacion bastisjeje në dy lokacione të ndryshme, një në Gadime të Lipjanit, ndërkaq një në komunën e Prishtinës.
Policia ka shpallur në kërkim të dyshuarin e tretë tashmë i identifikuar, ndërsa dy të arrestuarit me aktvendim nga prokurori i shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor.