Këshilli i Bashkimit Evropian të hënën ka miratuar një vendim për t’i dhënë fund pezullimit të pjesshëm të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Komunitetit Ekonomik Evropian dhe Sirisë, është njoftuar në faqen zyrtare të institucionit.
Me këtë vendim, rikthehet zbatimi i plotë i marrëveshjes, duke shënuar siç thuhet në njoftim, “një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe midis BE-së dhe Sirisë”.
Pezullimi ishte vendosur në vitin 2011, si përgjigje ndaj “shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut nga regjimi i Bashar al-Assad” dhe përfshinte kufizime në tregtinë e produkteve siriane, si nafta, produktet e naftës, ari, metalet e çmuara dhe diamantet.
Sipas Këshillit, pas “rënies së regjimit të Asadit në dhjetor 2024” dhe heqjes së shumicës së sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Sirisë në maj 2025, “kushtet që justifikuan pezullimin nuk ekzistojnë më”.
BE theksoi se vendimi është në përputhje me politikën për të “mbështetur një tranzicion paqësor dhe gjithëpërfshirës në Siri dhe për të lehtësuar rimëkëmbjen socio-ekonomike të vendit”.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, ndërsa dispozitat e rivendosura të marrëveshjes do të zbatohen nga dita e parë e muajit pas njoftimit zyrtar ndaj autoriteteve siriane./teve1.info/
