Deputetja Teuta Haxhiu ka ndërmarrë një aksion simbolik në Kuvend, duke vendosur mbi karriget e ministrave fotografi që paraqesin gjendjen e uniformave të dëmtuara të Policisë së Kosovës.
Pas këtij aksioni, Haxhiu i ka drejtuar një pyetje ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme.
Ajo ka ngritur shqetësimin për gjendjen e uniformave dhe kushtet me të cilat përballen zyrtarët policorë, të cilët, sipas saj, presin që nga viti 2021 të pajisen me uniforma të reja.
Teuta Haxhiu: Policia qe pesë vjet po pres për pajisje të reja
“Pesë vjet po presin. Këtë pamje të trishtueshme po e shohim, ndërsa këta të rinj po ankohen. Shumë prej tyre më tregojnë se uniformën e bartin 12 orë dhe, kur e heqin në mbrëmje, gjendja e trupit të tyre është e tmerrshme. Vetëm një ditë ta bartë ministri uniformën e tyre, çfarë do të ndodhte?”, ka deklaruar Haxhiu.
Ndërkohë, ministri Xhelal Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Kujtojmë, uniformat e reja të zyrtarëve policorë nuk janë ndërruar që pesë vjet për shkak të dështimit të tenderëve.
