Lajme

​Sijarina: Nuk ndalemi derisa të burgosen të gjithë përgjegjësit për rastin e Arlinda Zekajt

Aktivistja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Liridona Sijarina, ka deklaruar se nuk do të ndalen së protestuari derisa të gjithë personat që, sipas saj, kanë kontribuar në rrethanat që çuan në vrasjen e Arlinda Zekajt, të përballen me drejtësinë.

Pas takimit me kryeprokurorin e shtetit, Zejnullah Gashi, dhe koordinatorin kundër dhunës në familje, Sijarina ka thënë se kanë kërkuar trajtim urgjent të rastit të Zekajt dhe rasteve të tjera të vrasjes së grave.

Ajo ka bërë të ditur se për të shtunën, në orën 12:00, është planifikuar një protestë gjithëkombëtare, përmes së cilës do të kërkohet përgjegjësi institucionale.

Sijarina ka theksuar se largimi nga puna i zyrtarëve përgjegjës nuk është i mjaftueshëm, duke kërkuar hetimin dhe ndëshkimin penal të të gjithë atyre që, sipas saj, kanë dështuar në mbrojtjen e viktimës.

Sijarina: Nuk do të ketë njerëz të paprekshëm brenda institucioneve

“Ne parashtruam kërkesat tona dhe insistuam që kryeprokurori i shtetit, pavarësisht që i ka nisur rastet në Këshillin Prokurorial, të marrë me urgjencë çështjen e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe të rasteve të femicidit. Ajo se çka u tha, dhe ne garantuam edhe kryeprokurorin e shtetit dhe koordinatorin kundër dhunës në familje, është që nuk ka me pas njerëz të paprekshëm nga ata brenda. Dhe këtë e dimë nga e kaluara që ka pasur njerëz të paprekshëm dhe që gjithë zinxhiri i sistemit të drejtësisë vazhdon me u qeverisë dhe me u mbajt prej njerëzve që janë të paprekshëm”, ka deklaruar ajo.

Sipas Sijarinës, aktivistet kanë shprehur shqetësimin se trajtimi i rastit përmes procedurave të zakonshme, pa afate konkrete, mund të çojë në zvarritjen e hetimeve dhe mungesën e përgjegjësisë.

Ajo ka thënë se gjatë takimit u është bërë e ditur se çështja do të trajtohet sipas procedurave ligjore, por nuk kanë marrë përgjigje të qarta për afatet.

Sijarina: Njerëzit që i çojnë gratë drejt vrasjes përfundojnë duke u kthyer në institucione

“Neve na u tha në procedurat ligjore, gjë që për neve është me një dozë dyshimi që e kemi parë edhe në të kaluarën, ku rastet merren me një procedurë të zakonshme dhe kur nuk na jepet një afat se çka i bie që shteti po e merr vrasjen e Arlindës me urgjencë. Kjo mundet me çu në përsëritje të historisë. Njerëzit që i çojnë gratë drejt vrasjes përfundojnë duke u kthyer në institucione”, ka thënë Sijarina.

Ajo ka insistuar se kërkesa e tyre nuk kufizohet vetëm në masa disiplinore, por përfshin edhe përgjegjësinë penale të personave për të cilët mund të vërtetohet se kanë kontribuar në dështimin institucional.

Sijarina për protestat kundër vrasjes së grave: Ne nuk kemi me u tërheq

“Ne nuk kemi me u tërheq dhe nuk kemi me pushu së angazhuari përderisa nuk i shohim krejt akterët që kanë çuar Arlindën drejt vrasjes, jo veç të pushuar nga puna, por edhe të burgosur”, ka deklaruar ajo.

Sijarina paralajmëron vazhdimin e bllokadave dhe protestave

Aktivistja ka paralajmëruar se Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të vazhdojë me protesta dhe bllokada të institucioneve deri në marrjen e përgjigjeve konkrete.

Sipas saj, bllokada e organizuar një ditë më parë, gjatë së cilës aktivistet kishin penguar hyrjen në një institucion, ka rezultuar me realizimin e takimit të sotëm me kryeprokurorin e shtetit.

Sijarina paralajmëron vazhdimin e bllokadave dhe protestave

“Ne kemi me pas bllokada dhe kemi me insistu që këta njerëz me thënë decidivisht, me dhënë zotime dhe kjo ka qenë kërkesa jonë prej ditës së parë. Kemi me insistu nëpërmjet metodave të ndryshme. Bllokadën dje që e kemi pasur ka rezultuar në këtë takim, kemi ardhur këtu dhe ua kemi bllokuar derën. Një gjë të tillë kemi me vazhduar edhe tutje, përderisa nuk marrim përgjigje konkrete prej secilit institucion”, ka theksuar Sijarina.

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur protesta dhe kërkesa për hetimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e saj.

Lidhur me rastin janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, ndërsa janë raportuar masa edhe ndaj zyrtarëve të Prokurorisë në Pejë.

Aktivistet kërkojnë që rastet e vrasjes së grave të trajtohen si urgjencë kombëtare dhe që institucionet të japin llogari për dështimet e mundshme në parandalimin e tyre.

Të Ngjashme