Lajme

BE-ja i bën thirrje Serbisë për Banjskën: Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë

Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj Serbisë që të ndjekë penalisht personat përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, duke shprehur keqardhjen që, tre vjet pas ngjarjes, autorët që ndodhen në Serbi ende nuk janë përballur me drejtësinë.

Në përvjetorin e tretë të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Brukseli ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e Serbisë për ndjekjen penale të personave të dyshuar për përfshirjen në këtë sulm.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka konfirmuar se shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e ka ngritur këtë çështje së fundmi gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje është pezull prej një kohe të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë pa vonesë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së.

Ai ka rikujtuar se Brukseli në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje që përgjegjësit për sulmin të mbahen përgjegjës.

Zëdhënësi ka shprehur gjithashtu keqardhjen e BE-së që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuza përkatëse, të personave të dyshuar që ndodhen në territorin e saj.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, sipas Bashkimit Evropian, përbënte një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë, ndërsa çështja e ndjekjes penale të personave që ndodhen në Serbi vazhdon të mbetet një prej çështjeve të hapura në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Të Ngjashme