BE-ja ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ditë më parë tha se Kosova “nuk është pranuar dhe nuk do të pranohet në Këshillin e Evropës (CoE)” duke i kujtuar atij dhe vendit që ai përfaqëson se Serbia është pajtuar, në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Bazuar në Nenin 4 të Marrëveshjes së Ohrit, Serbia është pajtuar që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në përgjigjen e BE-së për KosovaPress.
Në këtë kontekst, Brukseli, po ashtu, i ka kujtuar Serbisë kushtin se duhet të zbatojë të gjithë marrëveshjet e arritura më parë.
“Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, është kusht për të dyja, Kosovën dhe Serbinë, të ecin përpara në rrugët e tyre evropiane”, thuhet më tej në përgjigje.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq tha pas takimi të 135-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) që u mbajt të premten në Kishinau të Moldavisë, se vendi i tij loboi që Kosova të mos pranohej, këtë ditë, si anëtarë e Këshillit të Evropës.
Sipas tij, pavarësisht se disa ministra evropianë kishin bërë thirrje publikisht që kjo të ndodh, diçka e tillë nuk ndodhi.
“Lajme të mira nga Kishinau dhe Moldavia mike – Kosova dhe Metohia nuk do të bëhen anëtare të Këshillit të Evropës sot. Parimi i integritetit territorial dhe sovranitetit do të mbizotërojë sot… dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që zëri i Serbisë – e cila e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e të gjitha vendeve evropiane në mënyrë të barabartë – u dëgjua qartë, pa ekuivoke dhe me kapacitet të plotë”, u tha Gjuriq gazetarëve, të premten.
