Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku për shkak të një infarkti ka ndërruar jetë mësuesi 55-vjeçar Alban Bejleri.
Xhaxhai i viktimës është shprehur se Albani ishte një njeri i veçantë, punëtor dhe besimtar. Xhaxhai, Besim Bejleri, tregon se viktima bënte rreth 7 kilometra rrugë për të shkuar në punë vetëm për dy nxënës, ndërsa u bën thirrje politikanëve që personat e sëmurë duhet të punojnë pranë familjes.
“Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribuues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë.
Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e rikthyen në punë, e çuan në zonën e Maliqit, në një zonë të thellë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja, e sollën tani.
Bëj thirrje për të gjithë politikanët, të çdo krahu, që personat e sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve, mendoni për këta njerëz.
Ishte njeri me dy universitete dhe kishte qenë pa punë. Kishte 5-6 vite në punë. Ai nuk ankohej kurrë, përshkonte rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Shkonte vetëm për dy nxënës”, shprehet ai.
Nga ana tjetër, kushëriri Muhamer Meka tregon se mësuesi vuante nga diabeti, por kishte 30 vite që punonte në fshatin Marjan.
“Ishte njeri i mirë, djalë i rregullt. Ishte mësues prej 30 vitesh. Ka punuar në Bilisht më parë dhe më pas e çuan në Marjan. Për arsye politike e transferuan atje. E bënte çdo ditë rrugën. Kishte dy fëmijë dhe vuante nga diabeti”, shprehet kushëriri.
Ndërsa shoku i viktimës, Myfti Staro, u shpreh se ai ishte transferuar në fshatin Marjan për arsye politike.
“E transferuan për arsye politike, ishte i djathtë. Kishte shumë vite në arsim. Bënte rreth 8 km në këmbë; linte makinën dhe vazhdonte në këmbë drejt fshatit”, u shpreh ai.
