Lajme

​Berisha: Dhjetëra mijëra shqiptarë po vijnë në Tiranë, mbështetje e fuqishme për protestën studentore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë fizikisht në protestën kombëtare që po zhvillohet sot në Tiranë. I pyetur nga gazetarët teksa po hynte në selinë e PD-së, Berisha tha se e gjithë Shqipëria është në kryeqytet në mbështetje të protestës studentore.

Berisha deklaroi se sindikatat dhe forcat politike opozitare janë rreshtuar në mbështetje të revoltës studentore, ndërsa pretendoi se dhuna ndaj protestuesve po përdoret nga qeveria.

“Sot, Shqipëria është e tëra në Tiranë në mbështetje totale të studentëve dhe kundër narkodiktatorit që po përdor dhunë barbare ndaj tyre. Sot, studentë, sindikata, forca politike opozitare, janë në mbështetje më të fuqishme të revoltës studentore.

Me dhjetëra mijëra shqiptarë po vijnë nga të katër anët e vendit, kanë ardhur mbrëmë.

Beteja e narkodiktatorit, beteja e Edvin Kristaq Xhelatit ndaj studentëve do të jetë fundi i tij i turpshëm, fundi që meriton”, tha Berisha.

Protesta kombëtare në Tiranë është thirrur pas disa ditësh protestash studentore, ndërsa sot tubimit pritet t’i bashkohen edhe pedagogë, artistë, sindikalistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë./kp

Të Ngjashme