Lajme

Besian Mustafa, djali i Xhemajl Mustafës nuk qëndroi në sallë për të votuar deklaratën për aktgjykimin e Speciales

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas informatave të siguruara nga KosovaNews, në sallën e Kuvendit nuk ka qëndruar gjatë votimit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, djali i veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa.

Mustafa ka qenë i pranishëm në Kuvend gjatë seancës, por është larguar nga salla para momentit të votimit të Deklaratës.

Deklarata e miratuar nga Kuvendi përmban shtatë pika.

Në pikën e parë, Kuvendi shpreh shqetësim të thellë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në pikën e dytë, Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

Në pikën e tretë kërkohet nga institucionet shtetërore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Po ashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore për bashkërendimin e veprimeve juridike, institucionale dhe diplomatike.

Në pikën e katërt, Kuvendi thekson se ekzistenca e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova gjatë viteve 1998–1999 është vërtetuar me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë.

Në pikën e pestë kërkohet nga Dhomat e Specializuara që të respektojnë mandatin e tyre në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pika e gjashtë kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur atë që Kuvendi e cilëson si të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.

Ndërsa në pikën e shtatë thuhet se e vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë, i përkasin të njëjtës Republikë, duke theksuar se Kuvendi do t’i mbrojë të tria.

Deklarata u miratua me 99 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Të Ngjashme