Aktuale

Bordi ndryshon sërish çmimet e karburanteve. Ja me sa do shiten nafta dhe benzina?

Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi këtë të enjte, 4 qershor, në orën 15:30.

Sipas metodologjisë së re, çmimi i shitjes me pakicë për naftën (gazoilin) është caktuar jo më shumë se 195 lekë për litër (183 lekë/litër me shumicë), ndërsa për benzinën jo më shumë se 175 lekë për litër (163 lekë/litër me shumicë). Karburanti për sektorin e peshkimit do të tregtohet me 100 lekë për litër, duke përfituar nga përjashtimet ligjore mbi taksën e qarkullimit, karbonit dhe akcizës.

Në njoftim sqarohet se, duke qenë se çmimet e rregulluara janë nën kufijtë e emergjencës të përcaktuar në Aktin Normativ (220 lekë për naftën dhe 200 lekë për benzinën), lehtësimi fiskal prej 80% nuk do të aplikohet. Për rrjedhojë, akciza mbi karburantet do të paguhet e plotë në masën 100%.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë paralajmëruar të gjithë operatorët se moszbatimi i këtyre çmimeve tavan do të ndëshkohet me pezullim të menjëhershëm të aktivitetit tregtar.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës në datë 4 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër. ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 175 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër. 🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 4 ora 15.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. ⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. 🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. 🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 100 lekë.

Të Ngjashme