Britania ka njoftuar të martën vendosjen e sanksioneve ndaj grupit Huthi në Jemen dhe katër zyrtarëve të tij, pas asaj që e cilësoi si “agresion të përtërirë” brenda Jemenit dhe ndaj Arabisë Saudite.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme britanike bëri të ditur se paketa e sanksioneve synon të ndëshkojë Huthit për “përpjekjet e qëllimshme” për të minuar stabilitetin në Lindjen e Mesme, si dhe individët e përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
“Sjellja e pamatur e Huthive në Ngushticën Bab el-Mandeb ka vijuar të pengojë zinxhirët globalë të furnizimit dhe ka shtuar presionin mbi koston e jetesës për familjet britanike”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi: “Agresioni i përtërirë i Huthive, që synon partnerët tanë dhe civilët e pafajshëm, është i papranueshëm dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi.”
Masat e reja përfshijnë ngrirjen e aseteve të grupit Huthi, si dhe ngrirjen e pasurive, ndalimin e udhëtimit dhe përjashtimin nga e drejta për të ushtruar funksione si drejtorë kompanish për katër zyrtarët e sanksionuar.
Mes tyre janë Abdulkarim Amir al-Din Hussein al-Houthi, ish-ministër i Brendshëm i Huthive, dhe Abdul Hakim Hashem Ali al-Khaiwani, drejtues i Shërbimit të Sigurisë dhe Inteligjencës së Huthive.
Në listën e personave të sanksionuar janë përfshirë gjithashtu Mohammed Moufleh, gjyqtar i emëruar nga Huthit, dhe Sarim al-Din Muffadal, prokuror i lartë i grupit.
