Lajme

GLPS: Rreth 60% e qytetarëve mendojnë se institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika

Rreth 60 për qind e qytetarëve të Kosovës vlerësojnë se institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika, sipas raportit të 10-të RoLPIK të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Gjykatat perceptohen si më të ndikuarat (35,1%), pasuar nga prokuroritë (34%) dhe Policia (17,7%). Rreth 48% e të anketuarve thonë se ka ryshfet ose korrupsion në institucionet e drejtësisë, kryesisht te gjykatat dhe prokuroritë.

Rreth 70% thonë se do të bashkëpunonin me institucionet dhe do të raportonin korrupsion ose krime të tjera; prej tyre, 87,4% do t’i drejtoheshin së pari Policisë së Kosovës. Policia merr vlerësimet më pozitive për luftën kundër korrupsionit dhe shihet si institucioni më i pavarur.

Vetëm 43,9% besojnë se gjyqtarët vendosin mbi bazë të provave dhe kornizës ligjore, ndërsa rreth 50% mendojnë se vendimet ndikohen. Rreth gjysma e të anketuarve nuk shohin përmirësim kuptimplotë të sistemit të drejtësisë në pesë vitet e fundit, ndërsa 36% shohin. Qytetarët preferojnë forcimin e institucioneve ekzistuese në vend të krijimit të të rejave.

Raporti thekson se besimi te Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë mbetet sfidë.

Të Ngjashme