Në vazhdim të detyrave funksionale të IEVP-së dhe në kuadër të forcimit të masave të sigurisë, parandalimit të futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara, Grupi i Sigurisë, nën drejtimin e Drejtuesit të Institucionit, Shefit të Policisë, Specialistit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale kanë ushtruar kontroll në ambientet e burgut të Shkodrës.
Kontrollet janë zhvilluar në dhomat e banimit dhe ambientet e përbashkëta. Gjatë kontrollit fizik të të paraburgosurit G.Z., është konstatuar dhe sekuestruar 1 aparat celular i tipit “iPhone”, së bashku me karikuesin.
Personi është veçuar menjëherë dhe për rastin është hartuar raport incidenti.
Gjithashtu, në ambientet e përbashkëta janë gjetur edhe 2 aparate celularë të tjerë të tipit “iPhone”.
Nga kontrollet në burgun e Peqinit,në ambientet e dusheve, janë gjetur dhe sekuestruar 2 aparate celularë, konkretisht: 1 celular “Samsung” ngjyrë e bardhë dhe 1 celular “Redmi” ngjyrë e zezë.
Në burgun e Durrësit kontrollet janë ushtruar në ambientet e brendshme të godinës “A”, në dhomën ku banojnë të paraburgosurit G. A., N. B., E. C. dhe M. Ç.
Gjatë kontrollit është gjetur një aparat celular i llojit iPhone, ngjyrë e zezë, poshtë jastëkut të të paraburgosurit E. C., i cili ka pranuar se aparati celular është në pronësi të tij.
Po në godinën “A” gjatë kontrollit janë gjetur dy USB, për të cilat janë kryer procedurat përkatëse të sekuestrimit dhe administrimit si sende të ndaluara.
Për të gjitha rastet është hartuar dokumentacioni përkatës, përfshirë procesverbalet e bllokimit dhe dorëzimit të sendeve të ndaluara.
Materialet procedurale i janë referuar Agjencisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Top Channel



