Në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ndër vendet tjera ku pretendohet se janë kryer krime janë edhe Budakova, Semetishta dhe Jeshkova.
Në Budakovë pretendohej se kishte disa vende ndalimi, duke përfshirë edhe shtëpinë e një personi që quhej Bajram Palushi- e cila thuhet se ndodhej pranë selisë së Batalionit 2 të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për Brigadën 123, thuhet se kishte Poicinë e saj usharake me seli në Breshanc dhe Semetishtë, e që në krye të saj në verë të ’98-ës u emërua Blerim Kuqi. Gjatë verës së vitit 1998, thuhet se Brigada 123 përbëhej nga dy batalione e që i dyti kishte në krye Sadik Halitjahën.
“Ky batalion përbëhej nga katër kompani, si dhe nga një njësi e Policisë Ushtarake. Gjatë verës së vitit 1998, Isa MORINA ishte komandant kompanie në Batalionin e 2-të. Muhamet BUZHALA, Agim ZYBA dhe Naim KADOLLI ishin anëtarë të Policisë Ushtarake të Batalionit 2, ndërsa Nuredin ABAZI ishte emëruar këshilltar juridik”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Ndërsa, thuhet se që të paktën nga marsi 1999, Gëzim Hazrolli ishte komandant i Brigadës 123 dhe Isa Morina ishte përgjegjës për Inteligjencën dhe Kundërzbulimin (S-2) brenda brigadës. Thuhet se Sadik Halitjahës, Bekim Arifi dhe Fehmi Berisha komanduan Batalionin e 2-të.
Brenda Batalionit të 2-të, pretendohet se Agim Zyba u ngrit në detyrë si S-2 për Inteligjencë dhe Kundërzbulim, duke i raportuar komandantit të batalionit çdo ditë. Ndërsa, varës të Zybës pretendohet se ishte Naim Kadolli dhe Muhamet Buzhala.
Thuhet se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin të njohur me Budakovën dhe Semetishten jo vetëm për shkak të emërimeve, por edhe për vizitat që kishin bërë atje.
Sa i përket krimeve që kanë ndodhur në Budakovë, Prokuroria pretendon se të paktën nëntë persona u mbajtën atje rreth 4 korrikut dhe shtatorit 1998. Në mesin e të ndaluarve, përveç emrave të redaktuar, përmenden edhe Latife e Rrushe Kololli të cilat më pas thuhet se ishin transferuar në një vend, lokacion ky i redaktuar në dosjen e Prokurorisë.
Thuhet se të ndaluarit mbaheshin në dhoma të mbyllura me çelës dhe/ose nën rojën e anëtarëve të UÇK-së. Ndërsa, pretendohet se të ndaluarve u merreshin para dhe sende të tjera personale, të cilat nuk iu kthyen kurrë.
“Në fakt, sipas W03865, i cili vetë kishte marrë në pyetje disa prej të ndaluarve, UÇK-ja nuk kishte vendosur asnjë strukturë për të siguruar garancitë procedurale të kërkuara nga e drejta ndërkombëtare”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, kod i cili i referohet Nuredin Abazit.
Thuhet se të ndaluarit qëlloheshin me armë në drejtim të tyre dhe goditeshin me grushte, detyroheshin të hiqnin pjesë të veshjeve, u lidheshin duart, u vendoseshin lidhëse në sy dhe rriheshin nga shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë me objekte si pushkë dhe zinxhirë, si dhe në praninë e njëri-tjetrit. Veç kësaj, thuhet se atyre u bëheshin kërcënime dhe u thuhej se do të vriteshin.
Rasti i Rrushe dhe Latife Kolollit
Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria pretendon se në mesin e gushtit 1998, në zbatim të urdhrave të Sadik Halitjahës, anëtari i Policisë Ushtarake, Musë Qerkini dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së, arrestuan Rrushe e Latife Kolollin si dhe një person tjetër, emri i të cilit është i redaktuar. Thuhet se u dërguan në shtëpinë e Bajram Palushit në Budakovë ku u mbajtën të ndaluara.
Prokuroria pretendon se atje, Rrushe e Latife Kololli u morën në pyetje nga Nuredin Abazi dhe pasi përfundoi intervistimi, u arrit në përfundimin se ato nuk kishin asnjë lidhje me spiunazh.
“Pasi W03865 mori në pyetje Latife dhe Rushe KOLOLLIN dhe arriti në përfundimin se ato nuk kishin asnjë lidhje me spiunazhin apo bashkëpunimin, por sipas mendimit të tij ishin prostituta, ai propozoi që ato të liroheshin ose të dërgoheshin te brigada”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Thuhet se Nuredin Abazi nuk ndërmori asnjë hap për të siguruar që ato të mos keqtrajtoheshin dhe të trajtoheshin me dinjitet.
Me urdhër të Sadik Halitjahës, pretendohet se Agim Zyba dhe Naim Kadolli i transferuan Latife e Rrushe Kollollin dhe personin tjetër, drejt Brigadës 123 duke i dorëzuar tek Naim Berisha në praninë e disa ushtarëve të tjerë të UÇK-së në hyrje të Semetishtës.
Tutje, thuhet se trupat e dy grave u gjetën në rrugën në Topligan e që kishin plagë me armë zjarri.
“Disa ditë pasi Agim Zyba dhe Naim Kadolli ua dorëzuan Latife dhe Rushe Kolollin Naim Berishës,trupat e dy grave u gjetën në rrugën për në Topliqan, disa kilometra larg zonës së përgjegjësisë së Batalionit 2; duart i kishin të lidhura dhe në trup kishin plagë nga armët e zjarrit. Testimi i ADN-së vërtetoi se njëri prej trupave ishte ai i Latife Kolollit. Trupi i Rushe Kolollit nuk është identifikuar kurrë në mënyrë mjeko-ligjore”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Në rrjedhjen e këtyre ngjarjeve, Prokuroria pretendon se përveç Nuredin Abazit në arrestimin, transferimin, ndalimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e të ndaluarve në Budakovë dhe Semetishtë, ishin të përfshirë edhe shumë anëtarë të tjerë të UÇK-së, veçanërisht anëtarë të Policisë Ushtarake dhe të shërbimeve të inteligjencës. Thuhet se kjo listë përfshinte Sokol Kabashin, Shukrije Gashin, Agim Kabashin, Bajram Morinën, Mus Qerkinin, Agim Zybën, Naim Kadollin, Muhamet Buzhalën, Magbule Mustafën, Sadik Halitjahën, Isa Morinën dhe Luan Mazrekun.
Pretendohet se asnjë anëtar i UÇK-së nuk u hetua, ndëshkua apo disiplinua ndonjëherë në lidhje me krimet e kryera në Budakovë dhe përkundrazi Sadik Halitjaha u gradua vazhdimisht nga Shtabi i Përgjithshëm në pozita të larta brenda komandës së Zonës Operative të Pashtrikut, dhe për një periudhë të shkurtër edhe në vetë Shtabin e Përgjithshëm.
Ndërsa, Nuredin Abazi thuhet se u ngrit në detyrë si këshilltar juridik brenda Zonës Operative të Pashtrikut, ndërsa Isa Morina u bë komandant ndihmës për inteligjencë dhe kundërzbulim në Brigadën 123.
Çfarë pretendohet se ndodhi në Jeshkovë?
Prokuroria thotë se në qershor të 1998-ës, u formua shtabi lokal i Prizrenit në Jeshkovë i cili komandohej nga Remzi Ademi i njohur edhe si Petriti e po ashtu edhe si Petrit Kodra.
Pretendohet se pas vdekjes së Ademajt më 15 gusht 1998, shefi i shtabit Ekrem Rexha (i njohur si Drini) mori komandën e shtabit lokal të Prizrenit, i cili më vonë u shndërrua në Brigadën 125.
Ndërsa, komandant i Zbulim-Kundëzbulimit pretendohet se ishte Xhevat Berisha i njohur edhe si Sokoli ndërsa zëvëndës i tij Hajrm Qengaj.
Pjesë e ZKZ-së në Jeshkovë pretendohet se ishin edhe Safet Krasniqi i njohur si Arditi, Ismail Kryeziu dhe Elbasan Shoshaj.
Prokuroria thotë se Selim Krasniqi ishte zëvendëskomandant për logjistikë, i ndihmuar nga Xhemshit Krasniqi. Ndërsa, Policia Ushtarake e UÇK-së pretendohet se ishte e vendosur në një shkollë në Jeshkovë me Seladin Berishën si komandant, i cili i raportonte komandantit të brigadës.
“Deri në gusht 1998, në zonën e Vrrinit kishte rreth 650 ushtarë. Shtabi lokal i Prizrenit kishte dy batalione – Batalionin e 1-rë, të komanduar nga Naser Berisha në Leskovec, dhe Batalionin e 2-të, të komanduar nga Zafir Berisha në Billushë. Brenda Batalionit të 2-të, Xhelil Krasniqi ishte komandant i kompanisë së Hoçës së Qytetit, e cila mbulonte edhe Jeshkovën; Avni Hajdari ishte komandant i kompanisë së Poslishtës; ndërsa Hajredin Shala ishte komandant i kompanisë së Billushës”, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.
Sa i përket krimeve që pretendohet se kanë ndodhur në Jeshkovë, Prokuroria thotë se rreth gushtit të 1998-ës të paktën pesë persona ishin ndaluar duke përfshirë edhe një shqiptar.
Për njërin nga të ndaluarit- emri i të cilit është i redaktuar, thuhet se humbi vetëdijen dhe vjelli pasi u godit në pjesën e pasme të kokës me atë që iu duk si kondaku prej druri i një pushke, ndërsa po shoqërohej për në tualet.
“Të ndaluarit civilë përfshinin një person që merrej me blerjen dhe shitjen e pronave, një [REDAKTUAR], dhe një person të papunë që qëndronte në shtëpi për t’u kujdesur për familjen e tij”, thuhet tutje në dosje.
Ndërsa për një të ndaluar thuhet se trupi i tij i mavijosur u gjet në një lokacion e që është i redaktuar. Pretendohet se familja e kishte raportuar si të zhdukur këtë person.
“Trupi i mavijosur i [REDAKTUAR], familja e të cilit e kishte raportuar si të zhdukur më [REDAKTUAR] 1998, u gjet [REDAKTUAR] në [REDAKTUAR], pranë Jeshkovë, [REDAKTUAR] pasi ishte rrëmbyer”, thuhet në dosje.
“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.
Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.
Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
