Aktuale

E rëndë, kishte ardhur nga Londra për pushime në Jalë, humb jetën 32-vjeçarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në Jalë, ku një 32-vjeçare, e cila kishte ardhur për të pushuar në Himarë dhe ishte akomoduar në një hotel, ka humbur jetën pasi shfaqi probleme shëndetësore.

Sipas informacionit paraprak të policisë, më datë 21.09.2026, rreth orës 18:40, është marrë njoftim se shtetasja I. R., 32 vjeçe, lindur në Londër, Mbretërinë e Bashkuar, e cila ishte akomoduar në një hotel në Jalë, kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe kishte kërkuar ndihmë në recepsionin e hotelit.

Stafi i hotelit e ka transportuar menjëherë 32-vjeçaren drejt Qendrës Shëndetësore, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë, ajo ka ndërruar jetë.

“Nga verifikimet paraprake të mjekëve dyshohet se vdekja ka qenë natyrale, pasi rezulton se 32-vjeçarja kishte pasur probleme shëndetësore, konkretisht me frymëmarrjen dhe diabetin”, njofton policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale dhe verifikimet për përcaktimin e plotë të shkakut të vdekjes.

Të Ngjashme