Në seancën e së mërkurës të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka shkaktuar reagime të shumta me deklaratën e tij gjatë propozimit të Slavko Simiqit për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Simiq tha se propozimi bëhet “në emër të popullit serb”, duke theksuar se atë e mbështesin 9 nga 10 deputetët serbë.
“Në emër të popullit serb dhe me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që përbëjnë shumicën e deputetëve serbë, e propozojmë Slavko Simiqin për nënkryetar”, deklaroi Igor Simiq në Kuvend.
Deklarata e tij shkaktoi reagime të menjëhershme në sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i dha sërish fjalën Simiqit, duke i kërkuar që ta tërhiqte deklaratën dhe ta bënte propozimin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Haxhiu tha se deklarimi i deputetit të Listës Serbe është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Pas dhënies së fjalës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, deputeti Simiq bëri një deklarim të papranueshëm. Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Popull serb ka në Serbi, Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës. Ta tërhiqni fjalën dhe ta bëni propozimin në përputhje me Kushtetutën”, tha Haxhiu.
Megjithatë, Simiq nuk e tërhoqi deklaratën e tij dhe nuk e ndryshoi formulimin e përdorur gjatë propozimit.
Pas kësaj, Haxhiu e përmbylli seancën e Kuvendit.
Ndërkaq, analistët politikë e kanë cilësuar deklaratën e deputetit serb si të qëllimshme, duke vlerësuar se ajo nuk është thjesht një qëndrim individual, por pjesë e një kalkulimi politik për të sfiduar rendin kushtetues të Kosovës dhe për të testuar reagimin e institucioneve.
Sipas tyre, përfaqësimi i komunitetit serb duhet të garantohet brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, pa u shndërruar në instrument për krijimin e një narrative apo sovraniteti paralel të nxitur nga Beogradi.
Gashi: Deklarata e Simiqit nuk është e rastësishme, synon të sfidojë rendin kushtetues të Kosovës

Eduard Gashi
Lidhur me këtë, analisti politik, Eduard Gashi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Simiqit përcjell një mesazh politik më të gjerë dhe se çështja duhet të trajtohet me kujdes nga institucionet e Kosovës.
“Deklaratën e Igor Simiqit nuk do ta shihja si një formulim të rastësishëm. Kur një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës thotë se një kandidaturë paraqitet “në emër të popullit serb”, dhe pastaj këmbëngul të mos e tërheqë këtë formulim, ai po dërgon një mesazh politik shumë më të gjerë sesa vetë zgjedhja e një nënkryetari.
Serbët e Kosovës kanë të drejtë të plotë kushtetuese të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe të përfaqësohen politikisht. Kjo nuk vihet në diskutim. Por përfaqësimi i tyre institucional zhvillohet brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kuvendi nuk është një forum mes dy shteteve apo dy sovraniteteve, por institucioni më i lartë përfaqësues i Republikës së Kosovës.
Pikërisht këtu qëndron problemi me formulimin e Simiqit”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, deklarata e Simiqit ka pasur një synim të qartë politik dhe se përmes saj është tentuar të krijohet një narrativë e caktuar rreth përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë.
“Sipas mendimit tim, ai synoi tri gjëra: ta paraqesë Listën Serbe si përfaqësuesen ekskluzive politike të serbëve të Kosovës; ta mbajë gjallë narrativën e Beogradit se serbët në Kosovë përbëjnë një trup politik të veçantë përballë shtetit të Kosovës; dhe, jo më pak e rëndësishme, ta provokojë institucionin që reagimin e Prishtinës më pas ta paraqesë si “mohim të të drejtave të serbëve”.
Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme: e vendosur, por jo impulsive.
Përgjigjja më e fuqishme ndaj Listës Serbe nuk është retorika nacionaliste, por Kushtetuta, ligji dhe funksionimi serioz i shtetit. Kosova duhet t’u garantojë serbëve të saj çdo të drejtë që u takon – madje në standardin më të lartë evropian – por njëkohësisht të mos lejojë që këto të drejta të shndërrohen në instrument për krijimin e një sovraniteti paralel politik të kontrolluar nga Beogradi.
Ky ka qenë edhe vizioni shtetformues i Presidentit Rugova: Kosova të fitojë politikisht duke qenë më demokratike, më perëndimore dhe më e matur se kundërshtarët e saj”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Gashi ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të qarta në raport me përfaqësimin e komunitetit serb.
“Prandaj, në këtë rast duhet të jemi shumë të qartë: serbët e Kosovës janë pjesë e Kosovës dhe kanë vend të garantuar në institucionet e saj. Por institucionet e Republikës së Kosovës funksionojnë mbi sovranitetin e Republikës së Kosovës, jo mbi pretendime politike të Beogradit.
Në fund, mendoj se pikërisht ky duhet të jetë pozicioni i Kosovës edhe ndaj SHBA-së dhe BE-së: zero cenim të të drejtave të komunitetit serb, por po aq zero tolerancë ndaj instrumentalizimit të këtyre të drejtave për të sfiduar shtetësinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.
Mehmeti: Deklarata e Simiqit është provokim, vjen nga kalkulimet e Beogradit

Gani Mehmeti
Kurse, analisti politik Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se politika e Beogradit vazhdon të përdorë provokimet si mjet për të nxitur reagime dhe për të testuar qëndrimet e palës kosovare.
“Politika serbe është provokuese, shantazhuese e testuese. Ata gjithherë shkojnë me provokime ndaj të tjerëve, po kjo ndodh, në veçanti, ndaj ne shqiptarëve, sepse urrejtja e tyre është aq e madhe, sa nuk kanë të ndalur me to.
Serbët janë në përgjithësi të tillë. Ata, përpiqen të jenë diplomatë, por me shqiptarët nuk u ka shkaur diplomacia, sepse ua kemi kthyer atypërty. Mirëpo, ata, në mbështetje të shteteve tjera, nisur nga Rusia dhe nga vetë Perandoria Osmane, arritën të fitojnë përkrahjen edhe nga e shtetet perëndimore deri në mbështetje të pushtimeve të tokave shqiptare që prej fillimit të shekullit 19 e deri pas Luftës së Dytë Botërore, ku Serbisë i dhënë tokat shqiptare fuqitë e mëdha”, ka thënë ai.
Duke folur për zhvillimet në vitet e 90-ta, Mehmeti ka theksuar rolin e presidentit historik, Ibrahim Rugovës, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve demokratike perëndimore, si dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Kjo përkrahje ndaj serbëve nga fuqitë e mëdha, ra në vitet e 90-ta të shekullit 20, me në krye Dr: Ibrahim Rugovën, i cili trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës, me përkrahjen e Amerikës dhe shteteve të tjera demokratike perëndimore, i cili mbajti në qetësi popullin për afro dhjetë vite të aparteidit serb. Dhe, po nga ky aparteid, bota u rreshtua në krahun tonë, me çka u pa në ndërhyrjen e NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, duke u rreshtuar edhe në ndihmën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri tek çlirimi i plotë i Kosovës, më 1999, sipas Marrëveshjes së Kumanovës, për çka, edhe sot e kësaj dite, janë të pranishëm trupat e NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë.
Pra, e themi lirisht se, mashtrimet, provokimet e testimet serbe, se Kosova është serbe, kanë rënë ato dhe se Kosova është e atyre që jetojnë në Kosovë, e assesi serbe”, ka theksuar ai.
Deklaratën e Simiqit, Mehmeti e sheh si pjesë të një strategjie politike për të nxitur reagime në Kosovë.
“Edhe deklarata e Simiqit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është në vazhdën e kalkulimeve serbe për të nxitur reagime që nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga deputetët, nga analistë e të tjerë.
Deklarata e Simiqit nuk është vetëm e tij, ajo vije nga kryetari i Serbisë, Vuçiq. Në emër të Serbisë dhe të popullit serb, do të mund të deklarohej në raste të ndryshme, e posaçërisht, nëse do të pranonte Pavarësinë e Kosovës, atëherë, Vuçiq do të mund të thoshte se, në emër të popullit serb, ne njohim Pavarësinë e Kosovës, duke uruar marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Por, as atëherë, nuk do pranohej nga Simiq, si banor e qytetar i Republikës së Kosovës. Kjo deklaratë, e tillë, do të mund të pranohej edhe nga ndonjë qytetar a politikan i Serbisë, sepse i përket atij shteti, por assesi nga qytetari serb i Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklarata e Simiqit synon të masë reagimin e opinionit dhe të institucioneve të Kosovës.
“Prandaj, kjo deklaratë, mbetet asgjë më shumë as më pak, se një provokim se deri ku kjo do të shitej tek shqiptarët.
Për fund, përkundër gjithë kësaj lufte serbe kundër shqiptarëve, më vjen keq që, vetë partitë tona politike shqiptare nuk merren vesh për krijimin e të gjitha institucioneve shtetërore, por, po luajnë me shtetin dhe me popullin e saj, duke e çuar në zgjedhje për çdo gjashtë muaj. Kjo është e tepërt dhe me këtë po bie poshtë shteti, po humbim shumë nga BE-ja edhe politikisht edhe financiarisht. Nuk do duhej t’i ikte nga bisedimet asnjë parti politike për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, sepse ai do zgjedhje për të gjitha partitë politike njësoj”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.
