Lajme

Çka ndodhi në Likoc dhe kush mori pjesë në kryerjen e krimeve, sipas Prokurorisë?

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përshkruan Likocin (fshat në Drenicë) si një prej vendeve që janë kryer krime, si ndalime arbitrare dhe keqtrajtime gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Fillimisht në dosje, Prokuroria e përshkruan Likocin si seli e rëndësishme e UÇK-së në fazat e hershme të saj e po ashtu edhe më vonë për mbledhjen e rekrutëve të rinj të cilët më pas dislokoheshin në zona të tjera sipas nevojës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se në Likoc kishte qendër shëndetësore dhe spital të UÇK-së, seli e Policisë Ushtarake të zonës e që më vonë u ngrit edhe një objekt paraburgimi i cili ishte funksional për disa muaj.

Ndërsa, në objektin e paraburgimit thuhet se autoritet ushtronte Komandanti i Zonës së Drenicës, Sylejman Selimi, dhe vartësit e tij, përfshirë zëvendëskomandantin e Zonës- Sami Lushtaku, komandantin e Policisë Ushtarake- Sahit Jashari dhe komandantin e Njësisë Speciale “Tigrat e Zi”- Jahir Demaku.

Ky autoritet i tyre, sipas Prokurorisë, ushtrohej duke urdhëruar dhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në aspekte të ndryshme të arrestimit, transferimit, ndalimit, marrjes në pyetje, keqtrajtimit dhe lirimit të të paraburgosurve.

Ndërsa, për anëtarë të tjerë të UÇK-së që pretendohet se morën pjesë në marrjen në pyetje dhe ndalime në Likoc, sipas Prokurorisë, ishin Rexhep Selimi, Musë Jashari, si dhe Sabit Geci, i cili thuhet se në vitin 1998 drejtonte një njësi të inteligjencës në Zonën e Drenicës që raportonte te Shtabi i Përgjithshëm, më vonë ishte shef i ZKZ-së së UÇK-së në Shqipëri.

Për Sabit Gecin, Prokuroria thotë se si në Drenicë ashtu edhe në Shqipëri ishte i përfshirë në ndalime dhe keqtrajtime të kundërshtarëve në lokacione të shumta.

Ndërsa, për Xhavit Nurakun/Ferizi i njohur edhe si “Raketa”, thuhet që ishte shofer dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Hashim Thaçit gjatë luftës, e që ishte i përfshirë edhe në ndalime dhe keqtrajtime në Likoc.

Krasniqin, Prokuroria e lidh me këtë lokacion, duke pretenduar se ai ishte i pranishëm në shkëmbime të burgosurish.

“Objekti i paraburgimit ishte i njohur mirë nga popullata lokale. Ndërkombëtarët ishin informuar për ekzistencën e një vendi paraburgimi në Likoc, ndërsa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë Krasniqin, koordinonin dhe ishin të pranishëm në shkëmbimet e të burgosurve në këtë lokacion. Për shembull, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm koordinuan – përfshirë përmes telefonit satelitor – me, ndër të tjerë, Sylejman Selimin dhe urdhëruan lirimin e pesë serbëve të moshuar të mbajtur në Likoc më 23 janar 1999. Ashtu si në përpjekjet e mëhershme të ndërkombëtarëve për të siguruar lirime nga Likoci, Sami Lushtaku fillimisht kundërshtoi lirimin e serbëve të moshuar kur nuk ishte bashkëpunues, por në fund iu bind urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Rexhep Selimi së bashku me persona të tjerë ishin të përfshirë në arrestimin dhe ndalimin e më shumë se 25 personave, emrat e të cilëve janë të redaktuar në dosjen përfundimtare.

“Midis të paktën prillit 1998 dhe janarit 1999, anëtarë të UÇK-së, përfshirë Rexhep Selimin, Sylejman Selimin, Sabit Gecin, Sahit Jasharin, Jahir Demakun, Sami Lushtakun, Musë Jasharin, Smajl Latifin, Muharrem Xhemajlin, Xhavit Nurakun/Ferizin (i njohur si Komandant Raketa), Shaban Shalën, Fatmir Mehmetin/Gjilanin, dhe të tjerë, përfshirë pjesëtarë të policisë ushtarake, morën pjesë në arrestimin dhe ndalimin arbitrar të më shumë se 25 personave…”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Gjithashtu, Prokuroria pretendon se disa të paraburgosur në Likoc u transferuan edhe në objekte të tjera ndalimi të UÇK-së. Veç kësaj, pretendohet se viktimat u arrestuan në shtëpitë e tyre, në rrugë e disa edhe në prani të familjarëve të tyre.

Përveç kësaj, pretendohet se ka pasur persona që janë arrestuar dhe ndaluar së bashku me anëtarë të tjerë të familjes.

“Për shembull, ushtarë të UÇK-së me uniforma të zeza arrestuan [REDAKTUAR] nga shtëpia e tij dhe e dërguan në Likoc në [REDAKTUAR] — [REDAKTUAR] pasi UÇK-ja arrestoi dhe vrau [REDAKTUAR] — duke thënë se kishin marrë “urdhra nga Shtabi” për ta marrë në pyetje. Gjatë arrestimit, anëtarët e UÇK-së i thanë një viktime tjetër se [REDAKTUAR]”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në anën tjetër, përmendet edhe një deklaratë e Sylejman Selimit gjatë luftës, i cili pretendohet se ka deklaruar se  “të gjithë ata që mbahen në burgjet tona janë robër lufte” dhe se “çdo gjë bëhet sipas ligjit ushtarak”.

Në Likoc, sipas Prokurorisë, të paraburgosurit mbaheshin në dhoma të vogla dhe të mbyllura dhe disa me dritare me hekura. Thuhet se shumë prej tyre ishin të lidhur, ndërsa një i paraburgosur ishte kërcënuar me vdekje nëse përpiqej të arratisej.

Sipas Prokurorisë, të ndaluarit ishin civilë dhe me profesione të ndryshme, duke përfshirë edhe një grua e po ashtu edhe një të moshuar.

“Viktimat akuzoheshin dhe/ose pyeteshin për persona të tjerë të akuzuar se ishin tradhtarë, spiunë, bashkëpunëtorë, mbështetës të LDK-së dhe policë serbë. Përtej akuzave të paqarta, përfshirë lidhur me të afërm, miq dhe fqinj, atyre shpesh nuk u jepej asnjë shpjegim konkret apo arsye për ndalimin”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Të Ngjashme