Lajme

Çka pas refuzimit të takimit me Haxhiun? Analisti ‘zbulon’ si duhet të veprojë Lëvizja Vetëvendosje

PDK, LDK e AAK kanë refuzuar ftesën e presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, për t’u takuar në një takim konsulativ të martën më 18 gusht në ora 09:00.

Ftesa e Haxhiut u bë të premten, duke kërkuar që të takohet për të biseduar lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në ftesë.

Takimi i cili u ftua të mbahet në Zyrën e Presidentes, u refuzua menjëherë të shtunën nga dy partitë opozitare PDK e AAK.

“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet”, kështu i është përgjigjur kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ushtrueses në detyrë të presidentes, Albulena Haxhiu.

Edhe PDK ka pasur arsyetim të njëjtë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka bërë të ditur mospjesëmarrjen, gjersa në një konferencë për media ka thënë se Haxhiu do të duhej që t’i kishte shkruar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari që ta thërrasë seancën.

“E para, kjo është edhe një tentativë manipulimi e zotit Kurti me shtyrjen e afateve kundrejt afatit të Gjykatës Kushtetuese, pra është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë Kuvendin. Sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo pushtet politik funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi është i suspenduar…

Çfarë logjike ka kjo, qysh mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra… ajo ish dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit… PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, deklaroi ai.

Një refuzim për takim ka bërë sot edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konsideron se Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe kësisoj ata nuk do të bisedojnë me të, por me Kurtin.

“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive, në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Në pikëpamjet tona, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe, në këtë rrjedhë, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë”, ka thënë Abdixhiku.

Rreth këtyre refuzimeve, ka folur për “Bota sot”, analisti politik Xhavit Drenori.

Sipas tij, duhet ecur përpara dhe të hapen rrugët për zgjedhjet e reja.

“Parimi bazë është që nëse një legjislaturë nuk prodhon institucione, ajo legjislaturë dështon dhe si e tillë shpërbëhet dhe vendi shkon në zgjedhje. Prandaj, nëse me të vërtetë klasa politike e ka sjellë vendin në një situatë të tillë, atëherë duhet të ecim përpara dhe të lëshohet rrugë zgjedhjeve të reja, fatkeqësisht të cilat e kam thënë edhe më herët jo që mund të prodhojnë diçka, pra rezultat më ndryshe sesa zgjedhjet e kaluara. Por, këtu kemi tashmë një situatë ku Vetëvendosje nuk ka çfarë neglizhon, nëse nuk i shkojnë as në takim konsultativ presidentes në detyrë”, deklaron Drenori.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta konsitituojë Kuvendin, pastaj të provojë edhe për 60 ditë tjera t’i sigurojë votat apo deputetët që të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje i ka 61 numra duhet të procedojë në Kuvend, me thirrjen e mbledhjes konstituimin e Kuvendit, trupat e tij, qeverinë dhe për 60 ditë të ardhshme të provojë edhe mundësitë e fundit t’i shtjerrë për të arritur, pra t’i sigurojë 80 votat ose 80 deputetë që qëndrojnë në sallë për zgjedhje të presidentit dhe nëse jo vendi të shkojë në zgjedhje, këtu nuk ka tjetër alternativë”, thekson analisti.

Në fund, ai çelësin e sheh te Lëvizja Vetëvendosje.

“ Çdo vonesë pas këtij refuzimit të takimit të presidentes në detyrë me partitë politike, me liderët e këtyre partive unë mendoj që është e pajuestifikueshme dhe e panevojshme, sepse nuk ka diçka që mund të prodhojë pozitivisht të shtyhet thirrja e seancës. Prandaj, tashmë çelësi është në dorën e Vetëvendosjes, që vendit t’i japë drejtim, në kuptimin që të bëjë kompromis apo vendi do të shkojë në zgjedhje”, përfundon Drenori.

Të Ngjashme