Punimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës duket se kanë hyrë tashmë në fazën finale, ndërsa ritmi i punës vijon me intensitet të lartë.
Aktualisht, puna është fokusuar kryesisht në pjesën dekorative dhe në përfundimin e detajeve të brendshme të terminalit.
Siç shihet edhe nga pamjet, holli kryesor i aeroportit paraqitet modern dhe mjaft i gjerë, i zbukuruar me shirita ndriçues LED, elementë dekorativë dhe vazo gjigante me lule.
Në ambientet e brendshme janë vendosur stolat për pasagjerët, zonat e pritjes, si dhe portat hyrëse për në avionë.
Përfaqësues të projektit bëjnë me dije se një pjesë e rëndësishme e punimeve pritet të dorëzohet brenda këtij muaji, në përputhje me afatet e përcaktuara.
Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm drejt funksionalizimit të plotë të aeroportit. Aeroporti i Vlorës konsiderohet si një nga investimet më madhore në jug të vendit.
