A e kontrollonte krimi i organizuar veriun e Kosovës para vitit 2023? Kjo pyetje i ndau panelistët e emisionit “KallxoPërnime”, të transmetuar të shtunën mbrëma në RTV Dukagjini, ku u diskutuan zhvillimet në Serbi dhe raporti i Komisionit Evropian për Kosovën.
Ish-anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Vilard Bytyqi, tha se para vitit 2023 krimi i organizuar e kontrollonte plotësisht veriun dhe se mungesa e sundimit të ligjit e pamundësonte punën e institucioneve. Alban Arifi e kundërshtoi, duke thënë se sovraniteti ka qenë i shtrirë në veri edhe më parë dhe se veprimi i një grupi kriminal në një zonë nuk duhet barazuar me mungesën e sovranitetit.
Arbër Jashari tha se Aleksandar Vuçiq ishte “ombrellë mbrojtëse” për grupet e interesit në veri dhe se dobësimi i strukturës së tij politike mund të ndikojë edhe te personat që Serbia nuk i ka dorëzuar në Kosovë.
Kreshnik Gashi tha se grupet e lidhura me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin kanë gjeneruar miliona euro në Kosovë dhe i kanë shndërruar në fuqi politike në Serbi. Sipas tij, fondet janë administruar përmes Listës Serbe, kryetarëve të komunave dhe strukturave paralele.
Gazetari Idro Seferi tha se, sipas një ish-zyrtari të Sigurimit të Shtetit, Radoiçiqi është larguar në Rusi. Ai shtoi se grafitet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” janë nxitur nga njerëz të afërt me Vuçiqin.
