LDK-ja ka vendosur t’i ndërpresë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij do të qëndrojë në opozitë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit ka lënë të hapur mundësinë e mbështetjes së një kandidati.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Abdixhikut pas tërheqjes së partisë nga negociatat nuk ishte shumë e qartë.
“Deklarata e Lumir Abdixhikut nuk ishte shumë e qartë, sepse të heqësh dorë nga të gjitha dhe ta përkrahësh Vetëvendosjen që ta zgjedhë presidentin, nuk pajtohet me logjikën e deritashme. Pra, ai po thotë se LDK-ja nuk do asgjë, merrini ju të gjitha, ne e votojmë presidentin. Nuk e di ku duan të dalin, por disi kjo nuk po duket bindëse”, është shprehur Salihaj.
Në fund, ai ka thënë se Salihaj ka thënë se është mirë për Kosovën që të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet presidenti.
“Sidoqoftë, nëse konstituohet Kuvendi, formohet Qeveria dhe zgjidhet presidenti, në cilëndo mënyrë që bëhet kjo, është mirë për Kosovën”, ka deklaruar Salihaj.
