Aktuale

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, pas BE-së reagon edhe Shqipëria

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta “spastronte etnikisht Kosovën”.

Hoxha e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme, tronditëse dhe një fyerje të rëndë për viktimat e luftës ndërsa theksoi se relativizimi i krimeve kundër njerëzimit dëmton procesin e pajtimit dhe minon përpjekjet për bashkëpunim në rajon. Sipas tij, e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

“Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës”, shkroi Hoxha.

Ministri u shpreh se normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, të dënuara nga drejtësia ndërkombëtare, bie ndesh me vlerat evropiane dhe ushqen mosbesimin e tensionet në rajon.

Sipas tij, procesi i normalizimit dhe pajtimit mes Kosovës, Serbisë dhe rajonit kërkon përgjegjësi dhe përballje me të kaluarën.

“Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane”, përfundoi ministri Hoxha.

Të Ngjashme