Lajme

Deliu-Kodra i bën thirrje Qeverisë: Silleni në Kuvend projektligjin për Specialen

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla që ta sjellin në Kuvend Projektligjin për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar që deklaratat politike të shoqërohen me veprime konkrete.

“I bëj thirrje Qeverisë dhe Gërvallës që të sjell në Kuvend projektligjin për Dhomat e Specializuara”, ka deklaruar Deliu-Kodra në një konferencë për media.

“Qeveria të mos e zvarrisë dhe të mos e quaj agjendë të temave ditore, sepse një ligj i tillë nuk përbën temë ditore”.

Ajo tha se Kuvendi i Kosovës duhet të angazhohet pa dallime partiake për miratimin e një ligji që, sipas saj, do t’u ndihmonte liderëve të UÇK-së dhe Kosovës.

“Ia kemi borxh vendit që të angazhohemi që ta bëjmë një ligj i cili i ndihmon liderëve të UÇK dhe mbi të gjitha e ndihmon Kosovën”.

Deliu-Kodra përmendi edhe deklaratën e përbashkët të partive politike, e cila, sipas saj, ishte mbështetur me 99 vota në Kuvend dhe e cilësonte dënimin si të padrejtë.

“Si Kuvend pa dallim partish ia kemi borxh të bëjmë gjithë angazhimin tonë, Kuvendi ditë më parë ka ditur të jetë i bashkuar me 99 vota mbështetje një deklarate të përbashkët të partive politike që e cilëson dënimin si të padrejtë.”

Ajo kërkoi që deklaratat e Qeverisë të shndërrohen në veprime konkrete.

“Përtej deklaratave që i dëgjojmë nga eksponentë të Qeverisë na duhen veprime konkrete, ato janë kur ky ligj do të sillet në Kuvend. Nga deklarata të kthehen në veprime dhe qëndrime që ne i shohim”.

Deputetja po ashtu tha se situata aktuale nuk duhet të trajtohet si normale.

“Nuk mund të miratohen 35 ligje dhe të simulohet normalitet sepse Kosova sot nuk është në një situatë normale”.

Të Ngjashme