Aktuale

Deputetja e PS, Gjuzi kritikon protestën: Po na prishin punë me turizmin

Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, deklaroi se protestat e nisura kundër projektit në Zvërnec kanë devijuar nga qëllimi i tyre fillestar dhe tashmë nuk paraqesin një narrativë të qartë.

Për të protesta mbetet një instrument legjitim demokratik, por kërkon dialog mes palëve për të sjellë rezultate konkrete.

Sipas Gjuzit, qeveria ka përgjegjësinë të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe të krijojë hapësira për komunikim, megjithëse dialogu nuk mund të zhvillohet pa vullnetin e të gjitha palëve të përfshira.

Deputetja tha se fillimisht i kishte ndjekur me interes protestat për shkak të debatit mbi investimin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, por vlerësoi se me kalimin e kohës fokusi i tyre është zbehur.

Ajo argumentoi se diskutimi duhet të mbetet i përqendruar te projekti dhe ndikimi i tij, duke u mbështetur në fakte dhe propozime për përmirësimin e vizionit të investimit.

Në të njëjtën kohë, Gjuzi shprehu shqetësimin se protestat po zhvillohen në kulmin e sezonit turistik, duke vlerësuar se kjo mund të ketë pasoja për sektorin e turizmit dhe të ardhurat që ai gjeneron për vendin.

E pyetur për pretendimet se ekzistojnë udhëzime nga qeveria për të sulmuar influencerët që mbështesin protestat, deputetja i mohoi kategorikisht ato.

“Nëse ka të tilla, le të ma tregojnë edhe mua, sepse deri tani nuk kam dëgjuar për ndonjë udhëzim të tillë”, u shpreh ajo.

Të Ngjashme