Aktuale

Desada Metaj “thumbon” deputeten Marjana Koçeku pas largimit nga PS: Nga keci i Ramës te flamingot e protestës

Desada Metaj “thumbon” deputeten Marjana Koçeku pas largimit nga PS: Nga keci i Ramës te flamingot e protestës, një kapërcim që kërkon shpjegime
Gazetarja Desada Metaj ka reaguar pas vendimit të deputetes së Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, për t’u larguar nga kjo forcë politike dhe për të vijuar rrugëtimin e saj si kandidate e pavarur. Në analizën e saj, Metaj vlerëson se largimi i Koçekut ka peshë politike, pasi ajo nuk është identifikuar si pjesë e përfituesve të pushtetit apo e aferave korruptive. Megjithatë, gazetarja ngre pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi, duke theksuar se deputetja duhet t’u shpjegojë votuesve pse sot kërkon distancim nga Edi Rama, të cilin e mbështeti publikisht vetëm një vit më parë.

Sipas Metajt, nuk mjaftojnë deklaratat e shkurtra apo simbolikat e protestës për të justifikuar një kthesë kaq të madhe politike dhe morale. Ajo kërkon transparencë dhe sqarime të plota për qytetarët që i besuan votën Koçekut nën siglën e Partisë Socialiste. “Marjana Koçeku u largua nga grupi parlamentar i PS me dy fjali të thjeshta që treguan shumë për bezdisjen që i kishte sjellë sjellja dhe reagimi i Edi Ramës ndaj protestave dhe investimit në Zvërnec. Deri këtu gjithçka duket idilike. Një deputete e re që kupton se ka zgjedhur krahun e gabuar të historisë.

Por Marjana Koçeku nuk është thjesht një socialiste e zemëruar, siç ka sot me shumicë në sheshin para Kryeministrisë. Për hir të së vërtetës, ajo nuk është as një nga përfitueset e tenderave apo të korrupsionit qeveritar. Kjo është pikërisht arsyeja pse largimi i saj ka peshë politike dhe ngre pyetje që meritojnë përgjigje. Marjana është deputete e Parlamentit, e para e listës së Shkodrës, dhe jo aq e paditur sa të mos kuptojë se nga qershori i kaluar, kur u kërkonte shqiptarëve të votonin Edi Ramën, deri te thirrja e sotme drejtuar socialistëve për ta bojkotuar atë, nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh.

Modeli i zhvillimit të Shqipërisë nuk ka ndryshuar. Korrupsioni nuk ka ndryshuar. As lidhjet me krimin, sidomos në Shkodër, nuk kanë ndryshuar. Pikërisht për këtë arsye, Marjana duhet t’u shpjegojë socialistëve që e votuan pse sot duhet ta braktisin Edi Ramën. Nuk mjaftojnë dy fjali. Nuk mjafton as ikona e flamingos. Nga keci i Ramës te flamingot e protestës ka një kapërcim të madh politik dhe moral. Një kapërcim që meriton të shpjegohet, në respekt të atyre që e votuan para një viti dhe të atyre që sot e mbështesin në shesh”, shkruan Metaj, raporton “vna.al”.

Të Ngjashme