Lajme

Detaje të reja nga vrasja e turistit portugez në Ksamil: Shokët tregojnë si nisi sherri

Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në Ksamil, ku mbeti i vrarë me thikë një turist portugez, 20 vjeç.

Top Channel raporton se grupi hetimor ka marrë në pyetje shokët e viktimës, Luis Miguel Varela Mendes, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre mbi mënyrën se si nisi konflikti dhe momentet që i paraprinë goditjes fatale.

Sipas tyre, sherri dyshohet të ketë nisur brenda ambienteve të lokalit pas ngacmimit të një vajze. Situata më pas është përshkallëzuar dhe në konflikt janë përfshirë disa persona.

Në përpjekje për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë edhe punonjësit e sigurisë. Në këtë moment, 20-vjeçari portugez dyshohet se është futur mes personave të përfshirë në konflikt, me qëllim që t’i ndante.

Por dëshmitarët kanë deklaruar se ndërhyrja e tij përfundoi në mënyrë tragjike. Varela u godit me thikë dhe, pavarësisht ndërhyrjes, plagët rezultuan fatale.

“Sherri nisi për ngacmimin e një vajze. Në konflikt u përfshinë disa persona. Luis Varela u fut për të shuar konfliktin”, mësohet të kenë deklaruar shokët e viktimës.

Po ashtu janë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq, një vajzë dhe një djalë, të cilët u kapën së bashku me 29-vjeçarin Sokrat Vatën, teksa dyshohet se po tentonin ta largonin nga vendi i ngjarjes. Në prani të përkthyesve, ata kanë dhënë versionin e tyre për marrëdhënien me Vatën dhe momentet pas konfliktit.

Sipas dëshmive të tyre, dy shtetasit turq ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore me Vatën. Ata kanë deklaruar se e paguanin 29-vjeçarin për shërbime sigurie, si bodigard dhe shoqërues personal.

Përpara hetuesve, ata kanë mohuar çdo përfshirje në ngjarjen kriminale, duke pretenduar se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin me të.

“Ishim miq dhe e shoqëruam për shkak të miqësisë”, mësohet të kenë deklaruar ata.

Të Ngjashme