Dalën detaje të reja nga aksidenti tragjik i mbrëmjes së djeshme në aksin nacional Korçë-Maliq, ku humbi jetën 18-vjeçari Florian Matraku, nga fshati Bulgarec i Korçës.
Sipas burimeve, i riu, djali i vetëm i familjes Matraku, kishte kaluar gjithë ditën duke punuar në tokën e familjes për korrjen e misrit. Në mbrëmje, teksa autokombajna po përfundonte punën dhe duhej të dilte nga parcela në rrugën nacionale, 18-vjeçari ka dalë në rrugë për të ndaluar për pak çaste automjetet, me qëllim që t’i krijonte mundësi mjetit bujqësor të kalonte në mënyrë të sigurt.
Në atë moment, ai është përplasur nga një automjet që drejtohej nga Leonardo Skënderas, i cili është arrestuar nga Policia pas aksidentit. 18-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin e Korçës, por rreth një orë pas aksidentit ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Aksidenti i mbrëmshëm është i dyti me pasojë vdekjen brenda vetëm tri ditësh në të njëjtin aks rrugor dhe pothuajse në të njëjtën zonë. Tri ditë më parë, një 60-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet teksa po udhëtonte drejt Korçës, ku, sipas të dhënave, po shkonte për të shitur qumështin.
Brenda vetëm tri ditësh, aksi Korçë-Maliq është përfshirë kështu nga dy aksidente me pasoja fatale, duke marrë jetën e dy personave, një 60-vjeçari dhe një 18-vjeçari.
