Lajme

Detaje tronditëse për të dyshuarin për vrasjen në Suharekë: U dënua me 19 vjet burg në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes

Në vitin 2013, Rrahman H. u dënua në Zvicër me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij. Sipas mediave, ai vuajti vetëm 13 vjet burg. Tash, 60-vjeçari dyshohet se ka vrarë një tjetër person në Kosovë, në prani të bashkëshortes dhe vajzës së viktimës.

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në pah për Rrahman H., 60-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e Sylë D., 59-vjeçarit, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Sipas raportimit të medias zvicerane “Blick” i dyshuari ishte dënuar në vitin 2013 në Zvicër me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në fund të vitit 2011 në St. Gallen të Zvicrës, ku Rrahman H. kishte vrarë bashkëshorten, pasi e kishte goditur fillimisht me veturë dhe më pas e kishte sulmuar me një mjet të rëndë metalik.

Sipas vendimit të Gjykatës Federale të Zvicrës, ai e kishte pritur bashkëshorten pranë vendit të saj të punës. Kur ajo kishte qenë duke ecur në trotuar, ai e kishte goditur qëllimisht me veturë, me shpejtësi deri në 90 kilometra në orë.

Pas kësaj, ai kishte marrë nga bagazhi një çelës për ndërrimin e gomave, të cilin e kishte zgjatur me një tub hekuri, dhe e kishte goditur disa herë në kokë bashkëshorten, e cila kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Motivi i vrasjes, sipas gjykatës, lidhej me ndarjen dhe lidhjen e re të bashkëshortes. I dënuari ishte ndier i poshtëruar dhe i fyer pasi ajo kishte refuzuar të kthehej tek ai.

Gjatë procesit gjyqësor, ai kishte tentuar ta arsyetonte veprimin edhe përmes prejardhjes së tij kulturore dhe pretendimit se dëshironte të mbronte moralin e vajzës 15-vjeçare. Madje, në proces ishte përmendur edhe Kanuni, por ekspertët kishin vlerësuar se ky argument përdorej si alibi. Gjykata Federale nuk e kishte pranuar këtë arsyetim dhe e kishte cilësuar motivin veçanërisht të dënueshëm.

Rrahman H. ishte dënuar me 19 vjet burgim në maj të vitit 2013, ndërsa vendimi ishte konfirmuar nga instancat e tjera gjyqësore, përfshirë Gjykatën Federale në shtator të vitit 2014.

Si u kthye në Kosovë?

Sipas mediave zvicerane dhe raportimeve të mediave në Kosovë, Rrahman H. dyshohet se ka vuajtur 13 vjet nga dënimi 19-vjeçar dhe më pas është kthyer në Kosovë.

Megjithatë, rrethanat dhe procedurat përmes të cilave ai është kthyer në Kosovë ende nuk janë bërë të qarta. Autoritetet e St. Gallenit nuk kanë dhënë ende konfirmim zyrtar lidhur me kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit.

Ndërkohë, vrasja e fundit ndodhi më 18 nëntor në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ku, pas një mosmarrëveshjeje për një vendparkim, i dyshuari dyshohet se qëlloi disa herë me armë zjarri drejt Sylë D.

Sipas raportimit zviceran, ai kishte shtënë fillimisht përmes xhamit të veturës dhe më pas kishte vazhduar të qëllonte edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit. Në momentin e ngjarjes, në veturë ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e viktimës, të cilat ishin dëshmitare të vrasjes.

Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i krimit, por ishte arrestuar më vonë nga Policia e Kosovës.

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar atij një muaj paraburgim, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Për rastin e fundit, ndaj të dyshuarit vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.

Të Ngjashme