Aktuale

Detajet nga dosja/ Ndërtuan dy kate pa leje dhe u bënë “hije”, si ndërtuesit mashtruan policinë dhe shmangën autoritetet

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka arritur të sigurojë detaje nga dosja hetimore në lidhje me shtesën pa leje në një pallati në në rrugën “Llukë Kaçaj”, pranë QSUT.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedim penal për veprat “Ndërtimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me një objekt shumëkatësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kaçaj”, në kryeqytet.

Hetimi është ngritur pas referimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa dyshimet lidhen me tejkalim të lejes së ndërtimit, shitje të njësive në mënyrë të pjesshme informale dhe mosdeklarim të plotë të të ardhurave.Sipas dosjes hetimore, objekti i ndërtuar nga subjekti “Mirson 2A” sh.p.k. (më vonë i lidhur me “Soni Idea Studio” dhe subjekte të tjera), dyshohet se ka pasur devijime nga projekti i miratuar, përfshirë shtesa të paautorizuara në kate. Gjithashtu, hetuesit kanë konstatuar raste të dyshuara të shitjes së apartamenteve përmes kontratave porosi dhe pagesave të pjesshme jashtë sistemit bankar.

Në kuadër të hetimeve janë administruar kontrata, deklarime dëshmitarësh dhe dokumentacion nga institucionet vendore, përfshirë Bashkinë Tiranë dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit. Sipas të dhënave paraprake, ndaj objektit janë marrë edhe më herët masa administrative për shkelje gjatë ndërtimit, por punimet kanë vijuar.

Dosja përfshin gjithashtu dyshime për mosveprim të mundshëm nga disa struktura të kontrollit të territorit, të cilat sipas materialeve hetimore nuk kanë ndërhyrë në kohë pavarësisht konstatimeve në terren. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë penale dhe administrative të të gjithë personave dhe subjekteve të përfshira në këtë çështje.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Shtetit janë ushtruar kontrolle në banesat e disa prej personave të dyshuar të përfshirë në çështje, por në disa raste ata nuk janë gjetur në adresat e tyre të deklaruara. Konkretisht, nga verifikimet e kryera nuk janë gjetur shtetasit Ferdinand Shtembari dhe Mirsim Jella, të cilët nuk janë paraqitur në vendbanimet e tyre gjatë kontrolleve të policisë.

Në vijim të këtyre rrethanave, për këta shtetas është kryer shpallja në kërkim policor në kuadër të veprimeve hetimore, me qëllim lokalizimin dhe marrjen e tyre në pyetje. Burime nga hetimi sqarojnë se kjo masë nuk përbën arrest apo ndalim, por një procedurë standarde për sigurimin e pranisë së personave në hetim dhe sqarimin e rrethanave të çështjes.

Të Ngjashme