Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, gjatë vizitës zyrtare në Izrael ka zhvilluar takim me përfaqësuese të larta izraelite.
Dibrani, së bashku me Zëvendësshefin e Misionit të Ambasadës së Kosovës në Izrael, Mehmet Morina, kanë takuar në Ambasadën e Kosovës ambasadoren jorezidente të Izraelit për Kosovën, Tamar Ziv, si dhe drejtoreshën për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Irit Amitaj.
Gjatë takimit, Dibrani ka prezantuar të arriturat e SHKK-së, duke veçuar avancimin e sigurisë, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e programeve rehabilituese e risocializuese.
Po ashtu, janë diskutuar praktikat e reja të sistemit korrektues të Kosovës dhe përpjekjet për ngritjen e standardeve.
Në takim është theksuar rëndësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes Kosovës dhe Izraelit, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe sistemit korrektues.
