Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me mbështetjen e Qeverisë për projektet në kryeqytet.
Përmes një postimi publik, Basha tha se Rama po bie në kundërshtim me vetveten, pasi nga njëra anë ankohet se Qeveria nuk po e ndihmon Prishtinën, ndërsa nga ana tjetër pranon se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka financuar pjesën më të madhe të disa projekteve infrastrukturore.
“Kryetari Rama në njërën anë ankohet se Qeveria nuk po e ndihmon Prishtinën, ndërsa në anën tjetër pranon se vetëm për rrugën ‘Abedin Dino’, që lidh Sofalinë me Kolovicën, Qeveria Kurti ka ndarë 1.5 milion euro nga 2.5 milion euro sa ka kushtuar projekti. Të dyja nuk mund të qëndrojnë njëkohësisht”, ka shkruar Basha.
Ai ka vlerësuar se, në vend të kritikave, Rama do të duhej të falënderonte Qeverinë për financimin e projekteve, duke shtuar se “60 për qind e projektit është financuar nga Qeveria Kurti”.
Postim i plotë:
Kryetari Rama në njërën anë ankohet se Qeveria nuk po e ndihmon Prishtinën, ndërsa në anën tjetër pranon se vetëm për rrugën “Abedin Dino”, që lidh Sofalinë me Kolovicën, Qeveria Kurti ka ndarë 1.5 milion euro nga 2.5 milion euro sa ka kushtuar projekti.
Të dyja nuk mund të qëndrojnë njëkohësisht, Kryetar. Pak më shumë koncentrim.
Nëse 60% e projektit është financuar nga Qeveria Kurti, atëherë do të ishte më e udhës një falënderim sesa propagandë dhe dezinformim.
Ja vetëm disa nga projektet ku Qeveria Kurti po investon në Prishtinë:
Rruga “Abedin Dino” – vlera e projektit 2.5 milionë euro, nga të cilat 1.5 milionë euro financim nga Qeveria Kurti.
Vazhdimi i rrugës “Bajram Bahtiri” me katër korsi – vlera e projektit 2.5 milionë euro, me 1.4 milionë euro financim nga Qeveria Kurti.
Kyçja në rrethin e Lakrishtës (ndërlidhja e Unazës së Qytetit me rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë–Mitrovicë dhe rrethrrotullimin e Lakrishtës) – vlera e projektit 4 milionë euro, me 1.4 milionë euro financim nga Qeveria Kurti.
Pra, vetëm për këto tri projekte, vlera totale e kontratave arrin në 9 milionë euro, derisa investimi i Qeverisë Kurti është 4.3 milionë euro, ose rreth 47% e vlerës së tyre. Të tria këto marrëveshje janë nënshkruar në vitin 2024.
Qytetarët i shohin rrugët, projektet dhe investimet, dhe është mirë me punu Kryetar, jo m’u anku, se propaganda nuk ta zëvendëson punën.
