Lajme

Dita e 27-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Në Tiranë ka vijuar edhe këtë të premte protesta e qytetarëve, e cila shënon ditën e 27-të të tubimeve të përditshme kundër qeverisë.

Marshimi ka nisur nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 19:00, ku protestuesit janë mbledhur fillimisht përpara se të nisen drejt godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë marshimit, qytetarët janë parë duke mbajtur pankarta dhe flamuj, ndërsa kanë vazhduar thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Në këtë ditë të 27-të të protestës, organizatorët kanë risjellë edhe një herë kërkesat e tyre kryesore. Ndër to përfshihet dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor.

Po ashtu, protestuesit kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe reformim të sistemit zgjedhor, përfshirë kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës politike.

Në kërkesat e tyre përfshihen edhe shfuqizimi i disa ligjeve dhe paketave të miratuara së fundmi, si ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Trashëgiminë Kulturore, si dhe paketa e njohur si “Paketa e Maleve” dhe statusi i Investimeve Strategjike.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas tyre duhet të përpilohet përmes konsultimeve me ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Të Ngjashme