Operatorët e transportit publik në Tiranë dhe në rrethe do të vijojnë edhe ditën e sotme të operojnë me shërbim të reduktuar nga 40 deri në 60%.
Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar mbasditen e djeshme me përfaqësues të operatorëve për 450 linjat e vendit dhe drejtues të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban.Pas përfundimit të mbledhjes, Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, tha për “Monitor” se operatorët janë të pritje të takimit me institucionet përgjegjëse për miratimin e kërkesës së tyre për dhënie të kompensimit.Në të kundërt nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet prej tyre do të përshkallëzohen masat për reduktim të mëtejshëm të shërbimit.
“Operatorët mbetën të vendosur për miratimin e kërkesës së tyre për dhënie kompensimi deri në 100 lekë për litër pas shtrenjtimit të çmimit të naftës, kërkesë dorëzuar që në takimin e zhvilluar më 1 Prill nëpërmjet një “Pakete antikrizë emergjente” ministrive, për të evituar e reduktimit të shërbimit që nivel kombëtar ka arritur deri në 60%.
Në rast të mosreagimit nga institucionet prej tyre masat për reduktim shërbimi do të përshkallëzohen”, tha Memaj.
Në ditën e parë të protestës së operatorëve numri i autobusëve për 50 linjat urbane të Tiranës nga 200 arriti në 115 mjete në shërbim.
Ndërsa në rrethe reduktimi i shërbimit ishte më i lartë. Për në qytetin e Durrësit numri i autobusëve që ofrojnë shërbimin publik është reduktuar me 50%, në qytetin e Vlorës me 60%, në Berat me 60%, në Lushnjë me 50% dhe në Peshkopi me 40%.
Sot numri i autobusëve në rrethet kryesore ku funksion transporti publik urban dhe interurban ka arritur deri në 60%.
