Aktuale

“Djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”/ Kush është ‘Tori Ruçi’, që u bë shkak i vrasjes së biznesmenit në Sarandë!

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili.

Sipas informacioneve paraprake, Ismaili nuk dyshohet të ketë qenë shkaku kryesor i konfliktit që çoi në përplasjen fatale në lokalin e tij, por është përfshirë gjatë debatit mes disa personave për një çështje pronësie në zonën bregdetare.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se rreth orës 21:28 të së enjtes, gjashtë të rinj kanë shkuar në lokalin pranë kryqëzimit të rrugës Sarandë–Himarë, pasi kishin informacion se aty ndodhej 50-vjeçari Tori Ruci, i njohur edhe si Viktor Ruci, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Kush është Viktor Ruci:

Ruci rezulton person me precedentë të shumtë penalë që prej fillimit të viteve 2000.

Ai ishte liruar nga burgu më 12 mars 2026, pasi ishte ndaluar nga policia në 19 shkurt të këtij viti për shkak të një dënimi në mungesë me 8 muaj burg për veprën penale “moskallëzim krimi”, të dhënë në vitin 2019.

Më pas ai ishte liruar, pasi dënimi rezultonte i parashkruar.

Po ashtu, Ruci rezulton të ketë qenë i përfshirë në një grup të trafikut të drogës, i goditur nga policia e Sarandës në vitin 2018.

Sipas hetimeve, një prej të rinjve të përfshirë në konflikt kishte mosmarrëveshje me Rucin për çështje pronësie lidhur me një lokal në zonën bregdetare dhe më herët kishte pasur përplasje me të.

Për këtë arsye ai kishte marrë me vete edhe disa shokë dhe së bashku janë paraqitur në lokalin e Rexhep Ismailit.

Në verandën e lokalit ndodheshin të ulur në tavolinë Tori Ruci, Rexhep Ismaili dhe tre persona të tjerë të afërm apo shoqërues të tyre.

Menjëherë pas mbërritjes së grupit ka nisur një konflikt fizik me sende të forta, ku objektivi kryesor dyshohet të ketë qenë Tori Ruci.

Sipas të dhënave paraprake, pasi situata u përshkallëzua, Rexhep Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov”, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit të të rinjve.

Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur një prej personave të grupit tjetër.

Ndërkohë, nga pala tjetër ka pasur kundërpërgjigje me armë zjarri tip pistoletë, ku një plumb e ka goditur Ismailin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Të Ngjashme