Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për shpërthimin e ndodhur një ditë më parë në Gjirokastër, ku një person humbi jetën.
Një nga pistat që po shqyrtohet nga grupi hetimor lidhet me 26-vjeçarin Erigers Mela, i cili arriti t’i mbijetonte shpërthimit.
Sipas të dhënave paraprake, i riu rezulton të jetë djali i një ish-prokurori të Gjirokastrës, ndërsa nëna e tij aktualisht punon si sekretare pranë Prokurorisë.
Burime bëjnë me dije se hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me ndonjë hakmarrje të mundshme për shkak të çështjeve të trajtuara në të kaluarën.
Paralelisht, po verifikohet edhe pista e konflikteve të mundshme personale.
Hetimet janë intensifikuar për të zbardhur rrethanat dhe motivin e shpërthimit, ndërsa pritet të merret edhe dëshmia e 26-vjeçarit Erigers Mela, e cila mund të ndihmojë në sqarimin e dinamikës së ngjarjes.
Ndërkohë, sipas informacioneve paraprake, dyshohet se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një sasi prej rreth 300 gramësh lëndë plasëse TNT.
