Aktuale

Djalin e tij e kam shok, doja t’i bëja …/ Detaje nga kërcënimi, 50 mijë eurot i kërkoi në Bitcoin

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për kërcënimin ndaj një biznesmeni në Peshkopi, ngjarje për të cilën është arrestuar 21-vjeçari Engjëll Karoshi.

I riu ka pranuar në dëshminë e dhënë para hetuesve se ishte ai që kishte organizuar kërcënimin. Sipas deklarimeve të tij, veprimin e kishte ndërmarrë për t’i bërë presion biznesmenit që t’i jepte paratë.

Karoshi kishte njohje me biznesmenin, pasi, sipas dëshmisë së tij, kishte shoqëri me djalin e këtij të fundit.

Nga hetimet dyshohet se 21-vjeçari ka shkuar në këmbë pranë karburantit dhe ka vendosur në një cep të tij kutinë që ishte improvizuar për t’u dukur sikur përmbante lëndë plasëse.

Pas vendosjes së kutisë, ai dyshohet se ka hequr rrobat që kishte veshur dhe i ka hedhur në një kosh, në përpjekje për të mos u identifikuar. Më pas është rikthyer pranë karburantit dhe ka qëndruar mes personave të pranishëm, duke ndjekur ndërhyrjen e policisë dhe neutralizimin e kutisë së dyshimtë.

Fillimisht, Karoshi dhe persona të tjerë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes u shoqëruan në polici për t’u marrë në pyetje. Hetuesit nisën paralelisht verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.

Nga këqyrja e dhjetëra kamerave, policia arriti të rindërtonte lëvizjet e personit që kishte vendosur kutinë dhe të identifikonte 21-vjeçarin si autorin e dyshuar.

Në letrën e vendosur bashkë me kutinë kërkohej pagesa e 50 mijë eurove. Autori kishte përcaktuar gjithashtu adresën ku kërkonte që shuma të transferohej në Bitcoin.

Kutia u kontrollua dhe u neutralizua nga specialistët e RENEA-s, ndërsa nga verifikimet rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë plasëse.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

Të Ngjashme