Dogana e Kosovës po merr pjesë në Takimin e 33-të të Grupit Punues SAFE të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), që mbahet në Bruksel nga 21 deri më 23 tetor 2026, duke bashkuar administratat doganore dhe partnerët ndërkombëtarë me qëllim të avancimit të zinxhirëve globalë të furnizimit që janë të sigurt, transparentë dhe efikasë.
Në njoftim thuhet se takimi trajton prioritete kyçe të administrimit modern doganor, përfshirë zbatimin e Standardeve SAFE të OBD-së, zhvillimin e programeve për Operatorët e Autorizuar Ekonomikë, informacionin paraprak mbi ngarkesat, tregtinë elektronike ndërkufitare, pajisjet inteligjente të sigurisë dhe veprimin kolektiv për integritet.
“Vëmendje e veçantë i kushtohet forcimit të bashkëpunimit mes administratave doganore dhe sektorit privat, lehtësimit të tregtisë legjitime, përmirësimit të sigurisë së zinxhirit të furnizimit dhe adresimit të rreziqeve të reja që lidhen me tregtinë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për standardet ndërkombëtare doganore dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke promovuar një mjedis tregtar të sigurt e të parashikueshëm dhe duke mbështetur modernizimin doganor, lehtësimin e tregtisë legjitime dhe mbrojtjen e shoqërisë nga aktivitetet e paligjshme.
