Lajme

“Dosja 23” mund të shënojë një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë

Arrestimet e kryera në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23” përbëjnë një hap me rëndësi në përpjekjet për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë, veçanërisht në veriun e vendit, ku për shumë raste hetimet kanë qenë të kufizuara ose të vonuara, ka deklaruar eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Sipas tij, rëndësia e këtij operacioni nuk duhet të matet vetëm me numrin e personave të arrestuar, por mbi të gjitha me mundësinë që hetimet të sjellin prova të reja, të identifikojnë zinxhirin e përgjegjësisë dhe të ndriçojnë fatin e viktimave të popullatës civile.

Gecaj thekson se drejtësia për krimet e luftës është një detyrim ligjor dhe moral që nuk duhet të zbehet me kalimin e kohës.

Image
Hysen Gecaj

“Nëse Prokuroria Speciale arrin të ndërtojë raste të bazuara në prova të forta dhe procedura të rregullta gjyqësore, ‘Dosja 23’ mund të shënojë një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë”, shprehet ai.

Eksperti i sigurisë vlerëson se për viktimat dhe familjet e tyre, e vërteta dhe drejtësia mbeten elemente themelore të pajtimit dhe të ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme në Kosovë.

Në këtë kontekst, Gecaj e cilëson zbulimin e gjetjeve mortore të grupit të intelektualëve si një lehtësim, sadopak, të dhimbjeve të familjarëve dhe miqve të tyre, por edhe të popullit të Kosovës.

“Drejtësia, sado e vonuar, edhe pse e pakompensueshme për familjen dhe popullin e Kosovës, është e domosdoshme dhe e pashmangshme”, përfundon Gecaj.

Të Ngjashme