Zëvendësministri i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka reaguar pas vizitës familjare të Jakup Krasniqit në Prishtinë.
Dugolli, në një postim në Facebook, ka shprehur dhimbjen për gjendjen e ish-kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën e tij dhe të ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së si padrejtësi.
Duke kujtuar edhe përvojën e tij si i mbijetuar i masakrës së Dubravës, Dugolli tha se do të duhej të shihte kriminelët serbë para drejtësisë, e jo ish-krerët e UÇK-së të privuar nga liria.
Ai u shpreh i bindur se Jakup Krasniqi nuk do të thyhet as përballë kësaj situate.
Postimi i plotë:
Pamjet që dhembin dhe flasin vetë!
Vizita familjare e Bacës Jakup Krasniqi në Prishtinë, në këto rrethana, ishte një pamje që të këput shpirtin.
M’u kujtua burgu i parë i Bacës Jakup, kur regjimi serb e burgosi për idealin e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve. Atëherë e burgosi armiku, sepse ai nuk u përkul. Sot, pas gjithë asaj jete të rëndë, por të përkushtuar ndaj Kosovës, po përballet sërish me burgun dhe padrejtësinë, në emër të drejtësisë.
Unë, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, do të duhej të shihja kriminelët serbë para drejtësisë, të dënuar për krimet që kryen ndaj nesh. Fatkeqsishtë, në vend të tyre, shoh Bacën Jakup dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së të privuar nga liria, të dënuar e të përbuzur.
Ky realitet është një përmbysje e dhimbshme e së vërtetës dhe e drejtësisë.
Lotët në sytë e Bacës Jakup janë dhimbje për të, për familjen e tij, por edhe për të gjithë ne.
Baca Jakup nuk u thye në burgjet e Serbisë. Nuk u përkul para armikut dhe nuk u dorëzua para vuajtjeve.
Jam i bindur se as sot nuk do të thyhet.
Por kjo që po ndodh nuk është drejtësi. Është padrejtësi që dhemb, është përbuzje ndaj sakrificës dhe është një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë!
