Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë autorin e dy alarmeve të rreme për bombë që kanë ndodhur së fundmi në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, rast i cili ka vënë në lëvizje njësitë e sigurisë dhe emergjencës.
Sipas njoftimit zyrtar, autori i dyshuar është shtetas nga Serbia, i cili dyshohet se ka bërë telefonata kërcënuese duke pretenduar rrejshëm se në objekt ishte vendosur mjet shpërthyes.
Rasti i fundit është regjistruar sot rreth orës 07:48, kur Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme ka pranuar një telefonatë në gjuhën serbe, me pretendimin e rremë për vendosje bombe në Stacionin e Autobusëve.
Menjëherë pas njoftimit, njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë.
Në operacion janë angazhuar edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësia K9, hetuesit policorë, si dhe njësitë e zjarrfikësve, autoambulanca dhe Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës. Pas kontrollit të detajuar, është konstatuar se nuk kishte asnjë mjet të dyshuar apo shpërthyes, ndërsa objekti është rikthyer në funksion normal.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e procedurës për veprën penale “lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Policia ka bërë të ditur se ky rast ndërlidhet me një tjetër kërcënim të rremë të datës 23 qershor 2026, për të cilin Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht nga burime se autori i dyshuar ishte nga Serbia, duke sjellë detaje të para për hetimet fillestare të rastit.
Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të dy telefonatat dyshohet se janë kryer nga i njëjti numër telefonik me origjinë nga Serbia. Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë analizave teknike janë siguruar edhe prova elektronike shtesë, të cilat po trajtohen si pjesë e procedurës hetimore.
Policia e Kosovës thekson se posedon kapacitete të avancuara profesionale dhe teknike për hetime kibernetike dhe gjurmim të komunikimeve kriminale, duke shtuar se personat që tentojnë të fshihen pas telefonatave anonime apo platformave digjitale do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.
Në fund, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe përpjekjeve për krijimin e panikut, duke theksuar se çdo kërcënim trajtohet me seriozitet të lartë dhe sipas standardeve profesionale të sigurisë.
