Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke përfshirë edhe pesë persona të tjerë.
Bëhet fjalë për ish-bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylajn, ish-vjehrrën e saj, Nurije Sylajn, ish-kunatin Driton Sylajn, si dhe Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pasi ishte kthyer në shtëpinë e saj me përcjelljen e një patrulle policore.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj.
Në aktvendim thuhet se nga data 22 tetor 2026, kur Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ish-vjehrra e saj e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht, duke ruajtur në telefonin e saj fotografi dhe video të pranisë dhe lëvizjeve të viktimës.
Në telefonin e Nurije Sylajt është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet. Videoja dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.
Sipas Prokurorisë, këto veprime dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me persona të tjerë, me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke lehtësuar realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.
Tutje, në aktvendim thuhet se Nurije Sylaj kishte qenë e pranishme gjatë sulmit ndaj Arlinda Zekajt nga Albert Sylaj, por nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë atë.
Pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e dhënë në cilësinë e dëshmitares, ajo dyshohet se kishte tentuar të devijonte hetimet dhe të fshihte rrethanat e vërteta të ngjarjes. Nurije Sylaj kishte pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, ndërsa ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, këto pretendime nuk përputhen me provat e siguruara deri më tani, veçanërisht me incizimet e kamerave të sigurisë, të cilat dëshmojnë praninë e saj gjatë një pjese të ngjarjes.
Me këto veprime, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3, 1.4 dhe 1.8, lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Edhe Driton Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj, duke përcjellë lëvizjet e viktimës dhe duke siguruar informacione për vendndodhjen e saj. Ai dyshohet se e kishte incizuar Arlindën më 23 tetor 2026, ndërsa videon ia kishte dërguar Nurije Sylajt përmes WhatsApp-it.
