Lajme

“E dhimbshme, po arsyeton Vuiqin ”, Gacaferi reagon ndaj ‘deklaratës skandaloze’ të deputetes së LDK-së

Anëtari i Lëvizjes Guxo, Luan Gacaferi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, e cila kishte thënë se deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër lidhet me “kartën nacionaliste” të Vetëvendosjes.

Përmes një postimi publik, Gacaferi pyet se “çfarë karte nacionaliste qenka kthimi i sovranitetit dhe i ligjit në çdo cep të shtetit”, duke e cilësuar të papranueshme që një deputete e Kuvendit të Kosovës të lidhë deklaratat e Vuçiqit me veprimet e institucioneve të Kosovës.

Ai akuzon Ymerin se, për shkak të kundërshtimit ndaj kryeministrit Albin Kurti, po shkon deri aty sa të “arsyetojë” deklaratat e presidentit serb për lumin Ibër dhe Ujmanin.

Sipas Gacaferit, deklarata të tilla janë të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe përfaqësojnë një qasje të gabuar ndaj Serbisë dhe Listës Serbe. Ai ka përmendur edhe deklarata të tjera të zyrtarëve të LDK-së, për të cilat tha se kanë qenë “skandaloze” në raport me çështjet e sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në fund të reagimit të tij, Gacaferi shkruan se “Kosova duhet të ruhet nga deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve të saj”, duke theksuar se deklaratat e Vuçiqit i konsideron shoviniste dhe kërcënuese ndaj Kosovës.

Të Ngjashme