“Isha në cilësinë e personit në dijeni” – Kështu u shpreh Mirela Kumbaro pas përfundimit të dëshmisë së saj në SPAK.
Ajo tha se ishte thirrur në lidhje me një çështje që lidhet me stadiumin “Air Albania”.
Ministrja, e cila u paraqit rreth orës 13:00 pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha një deklaratë të shkurtër për mediat, duke theksuar se roli i saj ishte thjesht si person në dijeni të rrethanave të hetimit.
“Isha në cilësinë e personit në dijeni për një çështje që ka të bëjë me stadiumin Air Albania,” u shpreh ajo, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo është hera e parë që Kumbaro paraqitet pranë prokurorëve të posaçëm.
Ajo njihet si një ndër figurat më jetëgjata në qeverisjen e Edi Ramës, ku për vite me radhë ka mbajtur postin e ministres së Kulturës. Prej shtatorit të vitit të kaluar, ajo ushtron detyrën e ministres së Arsimit.
