Debati i mbrëmshëm në emisionin “Debat Plus” mes nënkryetarëve të partive politike, Glauk Konjufca (VV), Doarsa Kica-Xhelili (LDK), Uran Ismaili (PDK) dhe Besnik Tahiri (AAK), ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Anëtari i Guxo-s, Luan Gacaferi, përmes një postimi publik, ka vlerësuar lart paraqitjen e Konjufcës në debat, duke thënë se ai tregoi qetësi, maturi dhe dinjitet përballë sulmeve dhe provokimeve të kundërshtarëve politikë.
“Dua ta pranoj pa asnjë hezitim se e kam gjykuar gabim për vite të tëra”, shkroi Gacaferi, duke shtuar se Konjufca fitoi debatin “me argumente e jo me zhurmë”.
Postimi i plotë:
Po e them publikisht diçka që nuk e kam thënë kurrë më parë!
Asnjëherë nuk kam qenë ndonjë fans i Glaukut. Për vite me radhë e kam parë si tepër të qetë për politikën e Kosovës. Madje, në disa raste, më është dukur sikur nuk i përkiste fare këtij realiteti të ashpër politik. Thënë shkurt e popullorçe, kurrë s’ma ka mush as synin e as mendjen, por sonte e kuptova se paskam qenë gabim, por siç dihet botërisht, njerzit gabojnë e edhe unë jam njeri!
Përballë britmave, sulmeve, provokimeve dhe përpjekjeve për ta nxjerrë nga vetja, Glauku dha një leksion të rrallë qetësie, maturie dhe dinjiteti. Ndërsa të tjerët ngrinin zërin, ai ngrinte nivelin e debatit. Derisa kundërshtarët e vet e humbnin kontrollin, ai ruante qetësinë. Ndërsa të tjerët përpiqeshin të fitonin me zhurmë, ai fitonte me argumente, ose si themi ne, me një lëvizje shahu, tap rrap, mat!
Më dukej sikur po shihja një luan të rrethuar nga hienat, i qetë, i patundur dhe plot vetëbesim. Nuk kishte nevojë të ulërinte për t’u dëgjuar, sepse pesha e fjalës së tij fliste më shumë se çdo britmë e hijenave!
Sonte e pranoj pa asnjë hezitim se e kam gjykuar gabim për vite të tëra. Ndoshta forca e vërtetë në politikë nuk qëndron te ai që bërtet më shumë, por te ai që edhe nën sulmin më të madh ruan gjakftohtësinë, dinjitetin dhe maturinë!
Respekt maksimal për paraqitjen e tij sonte. Ishte një performancë që meriton vlerësim, pavarësisht bindjeve politike të secilit!
