Ngjarja e fundit në Zvërnec duket se ka shkaktuar reagime të forta në Greqi, ku një pjesë e madhe e mediave greke i kanë kushtuar hapësirë zhvillimeve, duke ngritur pretendime dhe shqetësime për atë që e cilësojnë si cenim të pronave dhe të drejtave të minoritetit grek në zonë.
Në artikujt dhe komentet e publikuara në mediat greke, nuk kanë munguar tone alarmiste, ndërsa disa prej tyre shkojnë deri aty sa të pretendojnë se “po na marrin tokën tonë”, duke e trajtuar çështjen si një problem me ndikim kombëtar.
Reagimet vijnë pas debatit të krijuar për situatën në Zvërnec, ndërsa më herët pati edhe një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, e cila foli për mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të minoritetit grek në zonë.
Sot edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të qeverisë greke.
Ai shtoi se ngritja e çështjes mbi baza etnike nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat sipas tij janë në një nivel të mirë, dhe theksoi se pretendimet mbi pronësinë janë çështje që duhet trajtuar në rrugë ligjore.
