Publicisti Saim Tahiraj vlerëson se largimi i Vjosa Osmanit nga Lëvizja Vetëvendosje do të ketë ndikim në rezultatin zgjedhor të kësaj partie, por jo në përmasat që, sipas tij, po priten nga disa qarqe.
“Largimi i Vjosës nga VV-ja do ta dëmtojë atë në këto zgjedhje, por jo në atë masë sa po shpresojnë disa,” thekson Tahiraj.
Sipas tij, baza e qëndrueshme e elektoratit të VV-së nuk pritet të ndryshojë orientimin e votës.
“Elektorati besnik i VV-së nuk do ta ndryshojë votën në drejtim të Vjosës,” shprehet ai.
Megjithatë, Tahiraj vë në dukje se një pjesë e votave mund të zhvendoset. Ai beson se ndikimi i Osmanit mund të ndihet kryesisht te votuesit që më herët kanë qenë pjesë e elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe që e kishin mbështetur atë kur ishte në listën e VV-së.
“Çka mund të tërheqë vota nga VV-ja Vjosa, mendoj se është elektorati që ka lëvizur nga LDK-ja dhe e ka votuar atë në listën e VV-së,” deklaron ai.

Saim Tahiraj
Po ashtu, ai shton se edhe votuesit e zhgënjyer nga përçarjet brenda LDK-së mund të rikthehen në skenën zgjedhore.
“Votuesit e zhgënjyer nga përçarja dhe ndarja mes Vjosës dhe LDK-së, të cilët nuk votuan fare, mund të aktivizohen dhe të votojnë bashkimin e saj me LDK-në,” thekson Tahiraj.
Në këtë drejtim, ai konsideron se roli i strukturave të LDK-së është kyç.
“Duhet një aktivizim i fuqishëm i të gjitha strukturave të LDK-së së bashku me Vjosën dhe të fillojnë takimet me këtë pjesë të elektoratit për t’i bindur,” thotë ai.
Megjithatë, Tahiraj paralajmëron se sfida kryesore mbetet brenda vetë LDK-së.
“Problemi kryesor do të jetë për kryesinë e LDK-së, kryetarët e degëve dhe nëndegëve për ta bindur anëtarësinë që ta votojnë Vjosën,” vlerëson ai.
Ai rikujton se pakënaqësitë ndaj Osmanit kanë qenë të thella.
“Ka pasur një zhgënjim të madh, madje deri në urrejtje ekstreme për veprimin e saj dhe mënyrën se si ia ktheu shpinën LDK-së,” deklaron Tahiraj, duke shtuar se kjo kërkon një angazhim të madh për tejkalimin e ndasive.
Sa i përket parashikimeve zgjedhore, ai pret lëvizje të moderuara në skenën politike.
“Mendoj se LDK do të ketë një rritje të ndjeshme, ndërsa PDK do të sillet me një rritje të lehtë. VV pritet të ketë rënie, por jo në masë të madhe,” shprehet Tahiraj.
Në fund, ai nuk pret ndryshime të mëdha në raportet politike pas zgjedhjeve.
“Dyshoj shumë se këto zgjedhje do të ndryshojnë shumë dhe mendoj se do të na përsëritet i njëjti problem i zgjedhjes së presidentit,” përfundon ai.
