Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mesditën e sotme në superstradën Fushë-Krujë – Milot, në afërsi të Thumanës, ku ka humbur jetë një person dhe dy të tjerë janë plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Mercedes”, me drejtues Radvan Majën, banues në Borizanë, është përplasur me një automjet tjetër tip “Volkswagen Passat”, i drejtuar nga Ndrecë Ruci, nga Mirdita.
Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i “Passat”-it, Ndrecë Ruci, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, pasagjerja që udhëtonte me të, Tereze Laska, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Gjithashtu, nga aksidenti është lënduar edhe një grua, e cila ndodhej në ambientin e biznesit të saj pranë vendngjarjes. Ajo është goditur nga pjesë të shkëputura të automjetit “Passat” dhe është dërguar për mjekim.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë një manovër e gabuar parakalimi nga Ndrecë Ruci dhe shpejtësia e lartë e automjetit tjetër që drejtohej nga Radvan Maja.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit.
